RTSH 24 Live

Teknologji

Facebook po planifikon të ndryshojë emrin

21/10/2021

Facebook po planifikon të ndryshojë emrin

"Gjiganti i rrjeteve sociale, Facebook Inc, po planifikon të ndryshojë emrin javën e ardhshme", raportoi mediumi The Verge ditën e martë, duke cituar një burim me njohuri të drejtpërdrejtë rreth çështjes.

"Sipas medieve të huaja- përcjell Telegrafi, -shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, planifikon të flasë për ndryshimin e emrit në konferencën vjetore të kompanisë, Connect, më 28 tetor, por mund të zbulohet edhe më shpejt." "Sidoqoftë, në një përgjigje, Facebook, tha se nuk komenton “thashethemet apo spekulimet”", raporton Reuters. Lajmi vjen në një kohë kur kompania po përballet me një monitorim nga qeveria amerikane mbi praktikat e saj të biznesit. Ky raport ka të ngjarë që të pozicionojë aplikacionin kryesor të Zuckerberg si një nga shumë produktet në një kompani mëmë që mbikëqyr markat si Instagram dhe Whatsapp, sipas raportit.

Gjiganti i mediave sociale ka njoftuar së fundmi planet për të punësuar 10.000 njerëz në Evropë, gjatë pesë viteve të ardhshme, si pjesë e planeve ambicioze për të zhvilluar një rrjet të hapësirave të reja në internet që po i quan “metaverse”. Në vend që të jetë një tjetër platformë e mediave sociale me prurje të pafundme postimesh dhe reklamash, planet e Facebook vënë theksin në përvojat virtuale që e bëjnë internetin një vend ku jo vetëm të shikoni dhe klikoni mbi gjërat, por ku ne gjithashtu ndihemi “të zhytur fizikisht”.