RTSH 24 Live

Ekonomi

Eurobondi, MFE: Mbështetje për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën

22/10/2021

Eurobondi, MFE: Mbështetje për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën

Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që në fund të muajit tetor apo në fillim të muajit nëntor Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar.

Në studimet e paraqitura paraprakisht nga bankat ndërkombëtare deri më tani, vlerësohet se Shqipëria, në vitin 2021, ka mundësinë që të pozicionohet më mirë se në emetimet e mëparshme në tregun ndërkombëtar si nga niveli i interesit ashtu dhe të shumës e shpërndarjes së investitorëve për këtë instrument.

Eurobondi do të jetë me madhësi nga 500 – 700 milionë euro dhe me maturim 7 deri 10 vjet në varësi të kushteve të tregjeve financiare ndërkombëtare.

Projekligji “Për Eurobondin” ka mbërritur për shqyrtim në Kuvend.

“Potencialet e mësipërme janë të qëndrueshme pavarësisht situatës së COVID-19 që mund të ketë ndikuar së fundmi në indikatorët fiskalë të vendit”, bën të ditur MFE në relacionin shoqërues të p/ligjit.

Financimi i siguruar nga eurobondi do të shërbejë për përdorimin për mbështetje të përgjithshme buxhetore, e cila do të alokohet në shpenzime të përgjithshme publike për të siguruar që sektorët kryesorë, si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura të vijojnë rritjen e qëndrueshme, si dhe do të mbështesë investime publike, duke qëndruar në rreth 5% të PBB-së.

Qeveria pret që mbështetja e sektorëve dhe investimeve publike do të kontribuojë më tej në rritje ekonomike dhe konsolidim fiskal.

Ndërkohë një pjesë e eurobondit do të mbetet balancë në TSA (llogarinë e unifikuar të buxhetit) për financimin e vitit 2022.

Kjo është hera e pestë që vendi ynë u drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e eurobondit. Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010, me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7.5% dhe është shlyer në vitin 2015.

Eurobondi i emetuar në vitin 2015, me maturim 5-vjeçar, në vlerë prej 450 milionë eurosh dhe me një normë interesi 5.75 %, është shlyer në vitin 2020.

Eurobondet e mëpasshme dhe që janë ende aktive të pashlyera janë eurobondi i emetuar në vitin 2018, në vlerën prej 500 milionë eurosh, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.50%, si dhe eurobondi i emetuar në vitin 2020, në vlerën prej 650 milionë eurosh, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.50%.

Gjatë emetimeve të njëpasnjëshme, Shqipëria ka shënuar sukses, duke mundësuar emetime me kosto gjithnjë e më të ulëta, kjo deri në eurobondin e emetuar në vitin 2020 dhe për shkak të kredibilitetit të rritur në sytë e investitorëve, por edhe si pasojë e normave të referencës gjithnjë në rënie gjatë viteve të fundit.

Emetimi i eurobondit më të fundit u mundësua me kosto pothuajse të njëjtë me eurobondin paraardhës pavarësisht situatës me një nivel të lartë paqëndrueshmërie të tregjeve financiare ndërkombëtare gjatë periudhës së përhapjes gjerësisht të pandemisë COVID-19 në gjysmën e parë të vitit 2020.

Emetimi i këtij instrumenti është në përputhje me objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit Publik të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë./ATSH