RTSH 24 Live

Euro 2024

Euro 2024, ish-kryeministri Abazoviq: Jam me Shqipërinë, i befasuar nga sjellja e tifozëve

17/06/2024

Euro 2024, ish-kryeministri Abazoviq: Jam me Shqipërinë, i befasuar nga sjellja e tifozëve

Ish-kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, nuk ka dyshime se këtë vit në Kampionatin Europian të Futbollit skuadra për të cilën bën tifo është Shqipëria.

Një deklaratë e z. Abazoviq bëri zhurmë një ditë më parë, kur ai tha se do të bënte tifo për Serbinë në ndeshjen kundër Anglisë.

Politikani malazez e sqaroi qëndrimin e tij në një intervistë për RTSH 24, duke thënë se ato që ai mbështet janë skuadrat ballkanase pa dallim.

"Të gjitha skuadrat që vijnë nga rajoni kanë suportin tim. Kisha pasur qejf të shihja edhe Malin e Zi në një kampionat, qoftë Europian apo Botëror, ku të ketë përkrahje edhe prej boshnjakëve, serbëve, shqiptarëve. Nuk duhet të kemi urrejtje ndaj njëri-tjetrit, por për mendimin tim një sjellje korrekte, kompatibël me bashkëpunimin rajonal. Ka shumë politikë të panevojshme," tha z. Abazoviq.

Ish-kryeministri 38-vjeçar tha se tifozëria dhe skuadra e Shqipërisë i ka lënë përshtypje të veçanta.

"Me tifozët e vet, Shqipëria ka treguar një gjë shumë të veçantë në këtë kampionat. Të gjithë janë befasuar nga numri i shqiptarëve në Gjermani dhe mënyra si janë sjellë," u shpreh ai.

Një ditë më parë, ajo që duhet të jetë një paraqitje sportive dhe dashamirëse mori tone konflikti, kur tifozët serbë u ndeshën në rrugë me kundërshtarët anglezë

"Çdokush përfaqëson vetveten. Unë dua të jem ndryshe, jo në masën e nacionalistëve që ushqejnë urrejtjen me mesazhe politike. Ndryshimi i vogël duhet të nisë nga vetvetja dhe emancipimi nga politikanët vendas. Ne në Ballkan gjithmonë krijojmë politikë, por duhet të sillemi ndryshe nëse në të ardhmen duam të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian," tha z. Abazoviq.

Politikani shqiptar shërbeu si kryetar qeverie i Malit të Zi dhe si ministër i Jashtëm i vendit të tij për një vit nga 2022. Ai tha se edhe kur ishte në pushtet, edhe tani beson te ardhmëria e Ballkanit Perëndimor në BE.

"Në rajon kemi provuar çdo gjë: konflikte, luftëra, refugjatë, vrasje, urrejtje. E vetmja gjë që nuk e kemi provuar deri tani është marrëveshja, politika paqësore, miqësia. Unë te kjo besoj. A duhet të presim edhe disa vite? Jam skeptik. Mendoj se duhet të kalojë edhe pak kohë për të arritur deri te njerëzit që i pranojnë politikat e pajtueshme me BE. Por një gjë është e sigurt, se ardhmëria jonë në Ballkan është në familjen europiane. Nëse do të angazhohemi të gjithë mendoj se mund ta arrijmë në një kohë racionale, siç është 2030," u shpreh z. Abazoviq.

/rtsh.al/