RTSH 24 Live

Rajon

Eskobar: SHBA shpreson që Tirana dhe Shkupi t’i fillojnë këtë vit negociatat me BE-në

01/10/2021

Eskobar: SHBA shpreson që Tirana dhe Shkupi t’i fillojnë këtë vit negociatat me BE-në

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-aziatike, Gabriel Eksobar në takimin online me median  bullgare deklaroi se SHBA-ja shpreson që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut t’i fillojnë negociatat me BE-në për anëtarësim gjatë këtij viti.

Eskobar theksoi se ”SHBA-ja është e bindur se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë reforma të rëndësishme, ndonjëherë edhe të dhimbshme, për të lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Prandaj, sipas tij, ”dy shtetet meritojnë që negociatat t’i fillojnë sa më parë”.

“Shpresoj se të gjitha vendet evropiane do ta kuptojnë rëndësinë strategjike për t’i lejuar këto dy shtete të fillojnë negociatat për anëtarësim. Shpresoj se Bashkimi Evropian si dhe vendet anëtare individualisht, do ta njohin rëndësinë strategjike të integrimit evropian të shteteve ballkanike”, porositi Eskobar.

Ai komentoi edhe situatën në Bosnje-Hercegovinë dhe paralajmëroi se ‘’kërcënimet e serbëve të Bosnjës për shkëputje nga BH paraqesin shkelje të Marrëveshjes së Dayton-it dhe kjo vetëm do t’i çojë drejt izolimit dhe dëshpërimit ekonomik”.

Eskobar theksoi edhe se ‘’SHBA-ja mbetet fuqimisht e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës’’./ ATSH