RTSH 24 Live

Politikë

Escobar i prerë: Asnjë person ‘non grata’ s’mund të jetë fytyra e PD apo e ndonjë partie tjetër

27/01/2022

Escobar i prerë: Asnjë person ‘non grata’ s’mund të jetë fytyra e PD apo e ndonjë partie tjetër

I dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Grabriel Eskobar, theksoi dhe një herë se një person i shpallur "non grata" për korrupsion, nuk mund të jetë fytyra e një partie politike. Escobar forcon edhe më tej qëndrimin teksa thekson se nëse Berisha rimerr drejtimin e PD, atëherë nuk mund të presë marrëdhënie normale me SHBA. 

"Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale", ka thënë ai në një intervistë për reporteri.net.