RTSH 24 Live

Aktualitet

Ervin Hoxha emërohet drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës

26/01/2022

Ervin Hoxha emërohet drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës

Ervin Hoxha emërohet drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës. Gjatë prezantimit të tij në këtë funksion ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka kërkuar zbatimin e ligjit nga trupa e specialistëve të Shërbimit të Provës.

“Porosia ime një dhe e vetme që i përmbledh të gjitha porositë që kam për ju, është zbatimi i ligjit”, ka thënë Manja.

Duke iu referuar problematikave të ngritura herë pas here në media, ai u ka kërkuar që të mos bëhen pjesë e makinacioneve në kurriz të së drejtës dhe ligjit.

“Ju si shërbim nuk jeni të pavarur. Nuk jeni as një ishull me qeveri autonome, por jeni një shërbim që duhet t’ju udhëheqë ligji dhe vetëm ligji. Mbikëqyrja e dënimeve alternative duhet të jetë në funksion të qëllimeve që ka dënimi penal sipas ligjit dhe jo orekseve të individëve brenda shërbimit të provës dhe që s’ka lidhje me zbatimin e ligjit”, u shpreh ministri Manja, duke paralajmëruar se po punohet që ky shërbim të jetë pjesë edhe e mbikëqyrjes së kontrollit të brendshëm, njësoj si burgjet.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, zoti Manja shprehet se "Shërbimi i Provës është një hallkë e rëndësishme e gjithë sistemit të drejtësisë që shërben në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar nga gjykata".

"Nuk do të lejoj, dhe e bëra të qartë si kristali sot, që specialistët e këtij shërbimi ta përdorin mandatin e shtetit për qëllime të errëta, kafeneve e restoranteve të Shqipërisë, duke thyer besimin e qytetarëve dhe të shtetit. Kam besim se drejtori i ri, Ervin Hoxha, që sapo u prezantua, ndan të njëjtat qëndrime, synime dhe vizion me mua. Ne jemi në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Nëse ndokush mendon ndryshe, duhet të shkëputet vetë, ose do ta shkëpusim ne. Ligji, e drejta dhe qytetarët janë të parët!", thekson Manja.