RTSH 24 Live

Art

Ermal Meta merr vendin e tretë në Sanremo 2021

07/03/2021

Ermal Meta merr vendin e tretë  në Sanremo 2021

Me këngën “Un milione di cose da dirti”, kantautori italian me origjinë shqiptare Ermal Meta është renditur në vendin e tretë në Festivalin e 71 të Muzikës Italiane Sanremo 2021. Kënga e tij u vlerësua edhe me çmimin “Giancarlo Bigazzi” si kompozimi më i mirë i këtij aktiviteti. 

Fitues i vendit të parë në këtë Festival është shpallur kënga “Zitti e buoni” (Rrini urtë) i grupit Maneskin, të cilët sollën në Teatrin Artiston të Sanremos, muzikën rock me ritmin e tingujt e kitarave elektrike. “Ia dedikojmë fitoren atij profesori që gjithmonë na thoshte  të rrimë urtë, u shprehën menjëherë pas vlerësimit të marrë, Damiano, Victoria, Ethan e Thomas. Të gjithë janë 20 vjeçarë nga Roma që më vitin 2015 krijuan grupin e tyre “Maneskin”. Kënga “Zitti e buoni” (Rrini urtë), është një manifest për të gjitha ata që përpiqen të ecin në rrugën e tyre duke ruajtur e vlerësuar veçantinë personale e pa i dhënë vëmendje personave që flasin pas krahëve, pa i njohur e pa ditur se çfarë po thonë.

Në vendin e dytë në eventin më të rëndësishëm muzikor italian  Sanremo 2021, u rendit kënga “Chiamami per nome”, e duetit Francesca Michelin e Fedez.

Festivali i 71 i Muzikës Italiane Sanremo 2021 u zhvillua në kushtet e një emergjence pandemike pa spektatorë në sallë e me rregullat e një protokolli të fortë anticovid.  Ai regjistroj mesatarisht rreth 10 -11 milionë telespektatorë çdo natë, e konsiderohet ndër sezonet më të suksesshme në rrjetet sociale, për numrin e lartë të reagimeve, si dhe përfshirjen e një publiku në moshë mjaft të re. Prezantuesit Amadeus e Fiorello, u rikonfirmuan si çifti fitues i suksesit të Festivalit për dy vite radhazi.