RTSH 24 Live

Rajon

Erdogan: Turqia dëshiron forcimin e bashkëpunimit me SHBA-në

21/02/2021

Erdogan: Turqia dëshiron forcimin e bashkëpunimit me SHBA-në
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se  Ankaraja zyrtare dëshiron “të forcojë” bashkëpunimin me Uashingtonin, pas marrjes së postit presidencial nga Joe Biden. “Ne duam të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë me administratën e re të SHBA-së mbi një bazë të favorshme për të dyja palët”, u shpreh Erdogan në një video-mesazh për ngjarjen e cila shënoi fillimin e transmetimeve të një kanali televiziv nga Komitetit Drejtues Turko-Amerikan (TASC).

“Kohët e fundit, të gjithë kaluam një proces në të cilin miqësia turko-amerikane u testua seriozisht. Ne nuk pamë mbështetjen dhe solidaritetin që prisnim nga aleati ynë i NATO-s, veçanërisht në luftimin e grupit terrorist PKK dhe degët e tij”, shtoi Erdogan.

Presidenti turk gjithashtu tha se vendi i tij pret një “qëndrim të qartë nga të gjithë aleatët, veçanërisht pas sulmit terrorist të javës së kaluar në të cilin 13 shtetas turq u vranë”. Erdogan gjithashtu tha se Turqia dhe SHBA kanë më shumë interesa të përbashkëta sesa “dallimet e tyre të mendimeve”. Të dielën e kaluar, trupat e 13 shtetasve turq u gjetën gjatë operacionit antiterror të Turqisë në rajonin Gara të Irakut Verior.