RTSH 24 Live

Botë

Erdoğan përballë Kiliçdaroğlu. Nisin votimet për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Turqi

28/05/2023

Erdoğan përballë Kiliçdaroğlu. Nisin votimet për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Turqi

Miliona votues i janë drejtuar qendrave të votimit këtë të diel në Turqi për të hedhur votën e tyre në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. 

Votimi filloi në orën 8:00 të mëngjesit me kohën lokale dhe do të përfundojë në orën 17:00. Votuesit  në këtë raund do të zgjedhin midis presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe kandidatit të opozitës Kemal Kılıçdaroğlu për një mandat pesëvjeçar. 

Më shumë se 64,1 milionë njerëz janë të regjistruar për të votuar, duke përfshirë edhe ata jashtë vendit. Rreth 1,92 milion shtetas turq kanë votuar tashmë në qendrat e votimit jashtë shtetit.

Gjithsej 191.885 kuti votimi janë vendosur për votuesit në mbarë vendin. Balotazhi u caktua pasi asnjëri nga kandidatët në raundin e parë të mbajtur më 14 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare, nuk arriti të fitojë shumicën e thjeshtë, ose më shumë se 50 për qind të votave. 

Megjithatë, Erdoğan kryesoi në raundin e parë me 49,52 për qind.  Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime për të treguar demokracinë turke, ndërsa Kilicaroglu u ka bërë thirrje atyre që shteti të largohej “nga errësira” që sipas tij është futur gjatë qeverisjes dydekadëshe të Erdoganit.

/rtsh.al/