RTSH 24 Live

Rajon

Engels: Angazhimi amerikan, i nevojshëm për zgjidhjen e problemeve të Ballkanit

09/12/2020

Engels: Angazhimi amerikan, i nevojshëm për zgjidhjen e problemeve të Ballkanit

Anëtarë të Kongresit amerikan, ish-zyrtarë dhe ekspertë të Ballkanit e vunë theksin tek sfidat e përbashkëta të rajonit dhe nevojën e angazhimit amerikan.

Kryetari i Komisionit, demokrati Eliot Engel tha se Ballkani ka shënuar përparim, përfshirë në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.“Megjithëse kemi bërë aq shumë, ende mbeten çështje të pambyllura jo vetëm në ato dy vende, por në të gjithë rajonin, gjë që kërkon udhëheqjen amerikane dhe bashkëpunim më të ngushtë me partnerët tanë evropianë”, tha Engel.

Një nga këto çështje është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë dhe Kongresmeni Engel thotë se në thelb të saj është njohja e Kosovës.“Ç’ka është më e rëndësishmja është që Serbia duhet të shohë përpara. Kosova është e pavarur. Nuk kthehet më kurrë. Sinqerisht, bllokimi i njohjes së Kosovës nga vende të botës dhe i anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara,veçse pengon Serbinë sepse kërkesa e saj për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk do të miratohet derisa të njohë Kosovën”, tha Engel.

Ndërsa zoti Engel theksoi se të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj luftës duhet të dënohen, ai shtoi se Serbia nuk po mbahet përgjegjëse.

Daniel Serwer, profesor dhe drejtor i Programeve për Menaxhimin e Konflikteve dhe Politikës së Jashtme amerikane në Universitetit Johns Hopkins tha se parakushti thelbësor për zgjidhjen e problemeve të mbetura të Ballkanit është riangazhimi i Amerikës në rajon, në bashkëpunim me aleatët evropianë. “Konkurrenca e fundit midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, i cili ka ka demonstruar se nuk mund ta bëjë punën e vetme, e pengoi progresin. Si pjesë e rikonfirmimit të tij në shkallë globale ndaj vlerave demokratike, Presidenti Biden duhet të konsultohet me Evropianët dhe të shpallë një vizion të përbashkët për rajonin e Ballkanit”, tha ai.

Angazhimi amerikan, i domosdoshëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Republikani më me peshë në Komision, Michael McCaul, tha se populli i Kosovës meriton të jetojë në një vend plotësisht të pavarur dhe demokratik që është plotësisht i integruar në komunitetin ndërkombëtar dhe Serbia duhet të demonstrojë se e sheh të ardhmen e saj në Perëndim. Ai shtoi se ai vend duhet të distancohet nga Rusia dhe Kina.