Energjia ka qenë edhe sot kryefjala e debateve në parlament, në kushtet edhe të një moti të ftohtë që ka mbërthyer thuajse të Shqipërinë, i cili ka sjellë si pasojë uljen e temperaturave në vend. Lidhur me këtë situatë, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha se për shkak të motit të ftohtë, kërkesa për energji është rritur deri në masën 80%. Ajo ka prekur edhe “thembrën e Akilit” të sistemit, që është humbja e një pjese të energjisë, për shkak të mënyrës së ndërtimit të banesave.
“Për të garantuar energji të pandërprerë, objektivat e punës sonë kanë qenë monitorimi i politikave në sektorët dhe i planit për eficenën e energjisë. Në Shqipëri, nëse dikush, një kompani vendos të ndërtojë, duhet të pajiset me lejen e eficenës para ndërtimit. Një pjesë e sasisë së energjisë është e humbur për shkak të ndërtimit të banesave. Që prej fundit të vitit 2018, kur qeveria nënshkroi paktin e universitetit, nuk jemi marrë vetë me eficencën e energjisë. Paktin e kemi realizuar në disa fusha si punësimi i nxënësve ekselentë, bashkëpunimi me disa universitete në disa projekte. Në funksion të këtij pakti, një numër i konsiderueshëm studentësh punojnë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë”, komentoi Balluku.