31-vjeçari Sokol Halili, vrasësi i gruas së tij shtatzënë në maternitetin e Prishtinës, ka vrarë veten. Autori, i cili u lokalizua dhe rrethua nga policia, nuk pranoi të dorëzohej dhe as të negocionte duke i dhënë fund jetës së tij.
Lajmi është konfirmuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili shtoi se policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Pas një pune intensive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, shkruan Sveçla në Facebook.
Dy ditë më parë, Sokol Halili vrau gruan e tij shtatzënë Hamide Magashi në maternitetin e Prishtinës me tri plumba, një në kokë dhe dy në gjoks.
Çifti ka pasur konflikte të vazhdueshme dhe për këtë ishin në prag divorci, ndërsa gruaja ishte e pajisur me urdhër mbrojtje.
/rtsh.al/