RTSH 24 Live

Kronika

Ekzekutimi i Bardhok Pllanajt në Shkodër, asnjë gjurmë nga ekzekutorët

06/04/2021

Ekzekutimi i Bardhok Pllanajt në Shkodër,  asnjë gjurmë nga ekzekutorët

Ende nuk ka asnjë gjurmë të autorëve të ekzekutimit të Bardhok Pllanajt në Shkodër, ndërsa burime nga grupi hetimor thonë se është identifikuar automjeti me të cilin ekzekutorët kryen krimin.
Të dhënat flasin se bëhet fjalë për një automjet, i cili është vjedhur disa kohë më parë në kryeqytet, ndërsa targat e tij janë ndryshuar në një servil, i cili ndodhet jo më larg se 50 metra larg shtëpisë së Pllanajt.
46-vjeçari Bardhok Pllanaj u ekzekutua në Dobraç të Ri në Shkodër, mbrëmjen e së dielës, ku autorët e qëlluan nga mjeti tip “Passat”, me targa FV140MT, i cili u gjet i djegur disa orë pas ngjarjes, në të cilën u gjetën 2 armë zjarri automatikë model 56, 4 krehër dhe 18 gëzhoja. 
Armatimi i gjetur në makinën e shkrumbuar pritet t'i nënshtrohet ekspertizës në laboratorin e Policisë Shkencore, me shpresën e gjetjes së ndonjë prove. 
Ekspertët e grupit hetimor kanë kërkuar nga kompania celulare që përdorte viktima, të vënë në dispozicion të dhënat për komunikimet e 46-vjeçarit, për komunikimet e fundit që mund të ketë kryer Pllanaj para se të ekzekutohej. 
Bardhok Pllanaj ishte skeduar edhe nga Operacioni Forca e Ligjit, të cilit iu dërgua edhe formulari për të justifikuar pasurinë.
Ai njihej si ‘Sheiku’ i Shkodrës, ku u arrestua disa vite më parë pasi i ishte sekuestruar një pallat 10 katësh me vlerën 2 milion euro, para që dyshohet se ishin përfituar nga aktiviteti kriminal që ai mund të kishte kryer.
Prokuroria në bashkëpunim me Policinë prej disa muajsh kishin nisur hetime për 46-vjeçarin, i cili tre vite më parë ishte pjesë dhe e debateve politike në vend, pasi i shpëtoi arrestimit në vitin 2015 duke u fshehur në makinën e ish-deputetit, Mark Frroku. 
Në fund të vitit 2014 biznesmeni u shpall në kërkim për sasinë rekord të lëndës narkotike prej 800 kg kanabis sativa të kapur në Lagunën e Vilunit në Lezhë, që kishte si destinacion Malin e Zi