RTSH 24 Live

Aktualitet

Ekzekutimi i 19-vjeçarit në Shkodër, shpallet në kërkim autori! Dyshohet se është djali i Ismet Çekorjes i vrarë më 2 shtator

22/09/2022

Ekzekutimi i 19-vjeçarit në Shkodër, shpallet në kërkim autori! Dyshohet se është djali i Ismet Çekorjes i vrarë më 2 shtator
Pamje nga vendi i ngjarjes

Katër ditë pas ngjarjes, policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 19-vjeçarit në Shkodër, Erion Xhenja. Nëpërmjet një njoftimi, policia bën me dije se autori është një 24-vjeçar me inicialet B.Ç, banues në Shkodër, i cili qëlloi me armë të riun në një lokal në bulevardin “Bujar Bishnaku”.

Dyshohet se autori është djali i Ismet Çekorjes, i vrarë në një atentat më 2 shtator, por mbetet ende e paqartë lidhja mes dy ngjarjeve.

Xhenja u qëllua për vdekje teksa ishte duke pirë kafen në lokal, ndërsa në atentat morën pjesë dy persona, të cilët shkoan në vendngjarje me një motor. Nuk dihet ende identiteti i autorit të dytë.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 24-vjeçar, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes së ndodhur në datën 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një shtetas. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, falë veprimeve të shpejta hetimore për zbardhjen e ngjarjes të ndodhur më datë 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 19-vjeçar, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi B. Ç., 24 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si autori kryesor i kësaj ngjarjeje.  Nga veprimet hetimore dhe provat e grumbulluara dyshohet se shtetasi B. Ç., më datë 18.09.2022, rreth orës 20:10, në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” Shkodër, ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Xh., 19 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër. 

Gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e shumta të Policisë, në rrugën “Saçej”, në lagjen “Guerile”, është gjetur një motomjet i djegur plotësisht, si dhe 1 armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje. Po punohet për kapjen e shtetasit B. Ç., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.  Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale "Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit’”, njofton policia.

/rtsh.al/