RTSH 24 Live

Kulturë

Ekspozohen dokumentet origjinale të Musine Kokalarit

25/02/2021

Ekspozohen dokumentet origjinale të Musine Kokalarit

Dokumente origjinale që ruhen në Fondin Personal të Musine Kokalarit në Arkivin Qendror Shtetëror, u ekspozuan sot për herë të parë në një hapësirë publike. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave zgjedh shënoi kështu Muajin e Kujtesës, duke kujtuar një ndër figurat më emblematike të intelektualizmit shqiptar, gruan e parë shkrimtare të vendit, të burgosur dhe të internuar si rrallë kush nga regjimi komunist.

Shkrimtares së parë shqiptare  i kemi shkulur flokët, të paktën gjysmat sic raportojnë arkivat komuniste. Nuk ia shkuli ndonjë gjykatës a polic i prapë, por turma e njerëzve kur atë po e transportonin me një numër të burgosurash. E dënuam me 20 vite burg e më pas edhe për 20 vite të tjera e internuam në Rrëshen derisa vdiq, sepse donte liri për t'u shprehur, demokraci si në Perëndimin me iluministët nga të cilët u frymëzua. Mund të kishte zgjedhur Italinë, Romën ku studioi letërsi dhe filozofi për të jetuar, por zgjodhi të kthehet e t'u mësojë gjuhën shqipe fëmijëve të etur shqiptarë për dije. E frymëzuar nga Samiu, Naimi me të cilin mbrojti edhe diplomën në Itali apo Jani Vreto, Naum Veqilharxhi, De Rada e shumë atdhetarë të tjerë që punuan për vendin derisa mbyllën sytë, të cilët ishin dhe miqtë e saj virtualë të kohës, me të cilët kuvendonte ditët e fundit të jetës, intimitete që bashkë me dëftesat e shkollës që kur ka qenë në Institutin Nëna Mbretëreshë zbulohen teksa sheh në rreshtat e letrave, poezive, përrallave të saj, që janë ekspozuar në  Kalanë e Tiranës gjatë Muajit të Kujtesës.  
Vërtet kemi ndërtuar të gjithë bashkë sisteme diktatoriale, por kemi pasur edhe modele të një dinjiteti të lartë intelektual si Musine Kokalari, që nuk i zhbënë qëndrimet e tyre edhe përpara mizorive të diktaturës. Modele që sa më shumë i kujtojmë aq më shumë frymëzohen edhe brezat e rinj. Por ende një figurë të tillë nuk mësohet nga fëmijët në shkolla.