RTSH 24 Live

Lifestyle

Edona Vatoci bën "mea culpa" dhe fton Dafina Zeqirin të bashkëpunojë

20/03/2023

Edona Vatoci bën "mea culpa" dhe fton Dafina Zeqirin të bashkëpunojë
Foto: Edona Vatoci, autor: Atdhe Mulla

Edona Vatoci ishte e ftuara e Andri Xhahut në emisionin “Në radio” paraditen e sotme në Radio Tirana 1. Këngëtarja u ndal te projekti i fundit muzikor “Terr” në bashkëpunim me Shpat Dedën. “Jam e lumtur që kam punuar me një njeri si Shpati, për shkak se jemi shokë prej shumë kohësh. Kur Shpati ma tregoi këngën në telefon, unë u dashurova menjëherë.” Secili nga të dy artistët e ka shkruar vetë pjesën e tekstit që interpretojnë. “Ka qenë interesante sepse unë “Terrin” e kam parë nga këndvështrimi i dashurisë, mirëpo Shpati nga këndvështrimi i shoqërisë. E kam përjetuar më shumë si këngë dashurie.”

E pyetur se çfarë është “terr” në muzikën që realizohet sot në Shqipëri e Kosovë, Edona shprehet: “Gjëja e vetme e errët është që nuk bëhet mjaftueshëm. Unë besoj se ka vend më shumë për të prodhuar sidomos në rrymën që unë i përkas.”

A është kjo një “mea culpa” e Vatocit? “Deri diku po, por e kuptoj procesin e krijimit. Zgjat pak më shumë për shkak të disa faktorëve, siç është edhe ana monetare. I them vetes të krijoj pak më shumë, por i kuptoj barrierat që kalojnë artistët për të prodhuar një vepër.”

Edona Vatoci i ka qëndruar ndër vite besnike stilit të saj muzikor. Nëse do të bënte ndonjëherë kompromis për të guxuar me një rrymë tjetër muzikore, ajo tregon: “Nëse do të më kishte ardhur frymëzimi, unë nuk e ndaloj atë. Nuk është se nuk dëgjoj këngë komerciale. Më pëlqejnë dhe nuk e ndaloj veten për këto lloj eksperiencash. Deri tani nuk ka ardhur momenti. Nëse vjen, pse jo, e ftoj Dafina Zeqirin dhe i propozoj një ide.”

Për publikun e gjerë, Edona është bërë e njohur falë pjesëmarrjes në spektaklin e talenteve “Voice of Albania”. Sa vlerësohen vërtet talentet që marrin pjesë në këto programe? “Ka patur meritokraci se edicionin në të cilin unë kam marrë pjesë e ka fituar ai që e ka merituar. Mua më ka pëlqyer si eksperiencë, ka qenë interesante, por nuk do e kisha bërë sërish. Nuk besoj në këto lloj formatesh sepse secili artist ka veçantinë dhe zërin e vet.”

Se si e sheh muzikën që bëhet në Shqipëri e Kosovë dhe sa mund të jetosh përmes muzikës, Edona thotë se është disi e ndërlikuar të jesh artist dhe të mbijetosh. “Ndihet pak më shumë këtu se është vend i vogël dhe skena nuk është aq e madhe. Ka platforma që ofrojnë sa për të mbijetuar në ditët e sotme. Sidomos në rrymën që jemi ne, nuk është e lehtë. Duhet të kesh një plan B, të bësh një punë tjetër.” Ndaj Edona, është diplomuar në fushën e psikologjisë që shkon paralelisht me angazhimin e saj në muzikë.

Foto: Edona Vatoci, autor: Atdhe Mulla

Pyetjes ngacmuese nëse do të ishte mirëkuptuar më shumë me një partner psikolog ose këngëtar, Edona përgjigjet: “Unë do të isha mirëkuptuar me një DJ. Ose me ndonjë inxhinier. Bëj shaka. Unë pajtohem me të gjithë. Nuk është se jam e kufizuar.”

Pjesë nga biseda

Andri: Mendoj se duhet të jetë muzikant që të të kuptojë më mirë, për shembull orët e vona në koncerte…

Edona: Edhe inxhinieri të kupton.

Andri: Aq sa po kuptoj paska të reja. Qenka inxhinier...

Edona: Jo jo, është ajo e para që thashë.

Andri: Ah, atëherë qenka DJ.

Edona: (qesh) Po, po!

Andri: Ndonjë bashkëpunim me DJ-in?

Edona: Pse jo?

Lidhur me planet në vijim, Edona Vatoci tregon se së shpejti do të publikojë një këngë të re në bashkëpunim me Dritëro Nikqin. “Përpos kësaj kam filluar të punoj në fusha të tjera të artit, jo domosdoshmërisht në këngë. Po duam të punojmë me vepra vizuale, të cilat do të realizohen gjatë prillit me Leart Ramën dhe Genc Elezajn. Do të ketë edhe koncerte gjatë prillit dhe majit në Shqipëri dhe Zvicër.”

/rtsh.al/