RTSH 24 Live

Politikë

E njeh Berishën si kryetar të PD? Grida Duma: Vullneti i demokratëve duhet respektuar

23/05/2022

E njeh Berishën si kryetar të PD? Grida Duma: Vullneti i demokratëve duhet respektuar
Deputetja e PD-së, Grida Duma

Deputetja e PD-së, Grida Duma, e pyetur nëse e njeh Sali Berishën si kryetar të PD, ka deklaruar se ai ishte vullneti i demokratëve dhe se duhet respektuar.

Jashtë Kuvendit, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve mbi zgjedhjet në PD që nxorën fitues Berishën, Duma tha se e njeh atë si lideri në themel të partisë më të madhe opozitare në vend, por theksoi se sërish nevojitet reflektim edhe nga ish-kryeministri.

Për Dumën, Berisha duhej të zgjidhte çështjen gjyqësore për shpalljen ‘non grata’, teksa shton se PD kërkon një zgjedhje të madhe drejt të ardhmes.

Unë e njoh Sali Berishën si lideri që krijoi dhe është në themel të PD, do ta respektoj për të gjithë personalitetin e tij dhe do të di të përgjigjem për momentet më të vështira të PD dhe për të njohur vullnetin e shqiptarëve. Megjithatë nevojitet reflektim, edhe nga Sali Berisha. Berisha të zgjidhte edhe çështjen gjyqësore për ‘non grata’ dhe do të na nderonte të gjithëve. PD kërkon një zgjedhje të madhe drejt të ardhshmes. Çështja e ‘non grata’ do të na jetë një ‘shpatë demokleu’ në rrugën drejt fitores, ai e di mirë këtë. Unë kam dalë në publik dhe kam thënë që në rast se Salin Berisha e konsideronte si fëmijë PD-në ajo duhet lënë e lirë. Këtë kam thënë unë, jo se më ka munguar respekti. Pesha e tij te demokratët siç duket qenka më e madhe se e të tjerëve. Dhe vullneti i demokratëve duhet respektuar. Ringritja e Partisë Demokratike do të vijojë edhe me Sali Berishën”, tha Duma.

Sali Berisha ka rimarrë drejtimin e partisë më të madhe opozitare në vend pas 9 vitesh, pasi fitoi garën përballë Ibsen Elezit. Sipas të dhënave të komunikuara nga Komisioni i Rithemelimit, Berisha mori 93.45% të totalit të votave, përkundrejt 5.8% që mori Elezi.

/rtsh.al/