RTSH 24 Live

Kronika

Dyshohet se vendosi tritolin tek banesa e Dukës, çfarë tha 34 vjeçari në polici

26/01/2022

Dyshohet se vendosi tritolin tek banesa e Dukës, çfarë tha 34 vjeçari në polici

Autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur të hënën në Durrës, ku një sasi lëndë plasëse shpërtheu tek dera e banesës së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u arrestua nga policia ditën e sotme.

Bëhet fjalë për 34 vjeçarin, Arlen Hasanaj, i cili para hetuesve që po merren me këtë ngjarje, nuk ka pranuar autorësinë. Arlen Hasanaj nuk rezulton të jetë me precedentë të mëparshme penale, ndërsa ai ka në pronësi një bar kafe dhe një market, Euroshop.

Policia mundi, që duke këqyrur pamjet filmike dhe lëvizjet që kishte bërë autori si para vendosjes së lëndës plasëse dhe pas saj, të shkonte tek emri i 34 vjeçarit, të cilin e vuri në pranga.  Rtsh.al siguroi pamjet e shpërthimit të ndodhur në orët e vona të së hënës, ku nga ngjarja pati vetëm dëme materiale.

Armand Duka reagoi për mediat, duke hedhur dyshime se ngjarja ka lidhje me zhvillimet e fundit për zgjedhjet e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, që pritet të mbahen me 2 mars.

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi  në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në lagjen nr.4, Durrës.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit A. D., ngjarje e ndodhur në datën 24.01.2022.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.”, -thuhet në njoftimin e policisë së Durrësit.

/rtsh.al/