RTSH 24 Live

Aktualitet

Dy efektivëve iu rrezikua jeta kur trafikantët hapën zjarr drejt policisë në kufirin Shqipëri - Kosovë

26/05/2023

Dy efektivëve iu rrezikua jeta kur trafikantët hapën zjarr drejt policisë në kufirin Shqipëri - Kosovë

Radio Televiziomi Shqiptar sjell detaje nga ngjarja e ndodhur dje më 25 maj në kufirin Shqipëri - Kosovë.

Gazetarja e RTSh, Besjana Gërmizi, thotë se dy policë kanë rrezikuar jetën kur pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal që drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta në tentativë për t’i shpëtuar policisë kanë hapur zjarr ndaj tyre.

"Plumbat kanë përshkuar rrobat e tyre por fatmirësisht nuk kanë prekur trupin e efektivëve" informon gazetarja e RTSH.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën kur policët kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huaj, dy algjerianë dhe 5 sirianët që do të kalonin kufirin në drejtim të Kosovës dhe i kanë bërë thirrje që të ndalojnë.

"Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve, që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë," informoi sot policia e Kukësit.

Ndjekja 

Menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës, dhe pas disa orësh ndjekje, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e 6 prej tyre.

Në pranga kanë rënë: A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç,  M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane, ndërsa vijojnë kërkimet për algjerianin e dytë, shtetasi S. G., 27 vjeç.

Trafikimi

Grupi kriminal organizonte dhe drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta, nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me destinacion final shtetet e BE-së. 

Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim.

Akuzat
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale "Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".