RTSH 24 Live

Aktualitet

Durrësi me 2 porte, çfarë përfiton Shqipëria nga projekti i themeluesit të grupit miliarder nga Dubai?

21/11/2022

Durrësi me 2 porte, çfarë përfiton Shqipëria nga projekti i themeluesit të grupit miliarder nga Dubai?

Punimet për zbatimin e projektit të Marinës dhe Jahteve në Portin e Durrësit nuk do të pengojnë aktivitetin tregtar të Portit Durrësit. Konfirmimin e dha Drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu, gjatë një interviste për emisionin “Pa Censurë”. Si pjesë e grupit negociator, zoti Vengu ka njohje të thella për projektin dhe tregon mbi maketin e investitorit nga Dubai 2 fazat e ndërtimit.

“Porti nuk ndalon aktivitetin e tij tregtar, por ridimensionohet përmes një projekti zhvillimor me dy faza. Në fazën e parë, në zonën lindore të Portit të Durrësit, kur vjen nga Ura e Dajlanit dhe deri në ndërlidhjen me qytetin e Durrësit, nuk ka aktivitet tregtar. Janë zona të ndotura, zona pa aktivitet ekonomik. Aty ndodhen ish depozita të vjetra dhe pjesë e saj do te jetë rehabilitimi mjedisor, urban, mjedis i gjelbër dhe një hapësirë publike për qytetarët e Durrësit.” – shpjegoi zoti Vengu.

Në këtë zonë të braktisur, të pashfrytëzuar të Portit, do të kryhen ndërtime apartamentesh dhe hotelesh, çka mundëson, mosndërprerjen e aktivitetit në Port deri në fund të fazës së parë, e cila zgjat 5-7 vjet. Pirro Vengu tregon se paralelisht me këtë fazë, vitin e ardhshëm pritet të nisin punimet për portin e Porto Romanos, ku do të zhvillohet aktiviteti tregtar portual.

Nga gjithë aktiviteti në zonën e zhvillimit, shteti shqiptar do të përfitojë 33% të fitimeve deri në momentin e shitjes, 1 miliardë e 69 milionë euro nga taksat për 20 vjet dhe më pas përfitimi llogaritet nga taksimi normal i shërbimeve në zonë.

PJESË NGA INTERVISTA PËR EMISIONIN “PA CENSURË”

Elona Meço: Si do të bëhet njëkohësisht edhe funksionimi i Portit, edhe ndërtimi?

Pirro Vengu: Aktiviteti Portual dhe tregtar sot është brenda në basen, ku janë terminalet përkatëse për mallrat. Qeveria ka një plan për të transferuar aktivitetin tregtar në Porto Romano. Ne nuk parashikojmë të mbyllim Portin, por ta ridimensionojmë dhe të kemi 2 porte të Durrësit, nën ombrellën e Autoritetit Portual, por që janë të specializuar për arsye turizmi, kroçerash dhe jahtesh në portin historik dhe në portin tregtar të Porto Romanos.  Faza e parë është 5-7 vjet dhe faza e dytë shkon në totalin e 20 viteve që parashikon marrëveshja. Kjo është një nga arsyet pse shteti shqiptar ka pranuar të jetë bashkëaksioner dhe zhvillues pa kontribut financiar, pra nuk paguan asnjë qindarkë.

Elona Meço: Por duhet theksuar se qeveria i jep tokën e Portit të Durrësit investitorit nga Dubai.

Pirro Vengu: Toka vendoset në dispozicion të projektit. Ajo është pronë publike deri në momentin që kolaudohen punimet. Ne e transferojmë pronën parcelë më parcelë, fazë me fazë. Vetëm në fund të kolaudimit të çdo punimi kemi një transferim dhe pronar bëhet investitori strategjik, ku qeveria ka aksione 33%. Flitet shumë për ndërtimet dhe apartamentet, por aseti më i çmuar është baseni, janë kalatat portuale, është hyrja e kanalit të portit të Durrësit. Aktualisht nuk kemi kapacitet t’i akomodojmë as jahtet, as kroçierat, pasi nuk kemi thellësinë e duhur apo infrastrukturën e duhur. Projekti bën një ridimensionin total të këtij aseti që do të mbetet gjithmonë pronë-shtet dhe nuk transferohet. Transferohet me faza toka, por dhe aty deri në shitjen e fundit do të jetë aksioner shteti për të kontrolluar ligjshmërinë e procesit dhe të gjitha transaksionet financiare.

Elona Meço: A paguajmë ne 25 milionë euro për t’ia dhënë gati investitorit nga Dubai?

Pirro Vengu: Është koncepti i bashkëaksionerit. Jemi në një negociatë. Nuk jemi në pozicionin që kërkon dhe merr çdo gjë. Llogjika e marrëveshjes është që investimi për pastrimi mjedisor të realizohet totalisht nga privati, shteti nuk hedh asnjë lek. Shteti kontribuon nominalisht duke i krijuar disa lehtësira investitorit. 

Elona Meço: Pra 25 milionëshi është pjesë e 33% që posedon shteti?

Pirro Vengu: Është pjesë e lehtësirave që ofron qeveria përmes kontributit në taksën për infrastrukturën, kontributi për taksën në ndikim social. Për komplekse hotelierie dhe turistike këto taksa nuk paguhen fare. E vërteta është se nuk po falet asnjë taksë. Do të paguhet TVSH, do të paguhen kontributet, do të paguhet tatim fitimi. Vlera fiskale për buxhetin e shtetit për zhvillimin e të gjithë Marinës është 1 miliardë e 69 milionë euro në 20 vjet, që arkëtohen nga buxheti i shtetit. 

/rtsh.al/