Policia e Durrësit ka mundur të zbardhë një ngjarje të rëndë të ndodhur në fillim të muajit dhjetor, ku një person dyshohet se për motive të dobëta ka hedhur qëllimisht shokun e tij në një kanal të ujërave të zeza dhe ka fshehur krimin.
Pas kontrolleve intensive, shërbimet e Policisë kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të 33-vjeçarit, Branko Shkoza, si dhe të venë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes, Majlind Habibi.
Sipas policisë, pas veprimeve hetimore të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës nën drejtimin Prokurorisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontakti”, Policia identifikoi, kapi dhe arrestoi autorin e vrasjes së 33-vjeçarit.
“Policia vuri në pranga autorin e dyshuar një 35-vjeçar, që dyshohet se e ka shtyrë me qëllim 33-vjeçarin drejt kanalit. Shtetasi H. Sh., banues në lagjen nr. 15 Durrës, më datë 04.12.2024, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej datës 02.12.2024, djali i tij shtetasi B. Sh., 33 vjeç, ishte larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet me të. Shërbimet e Policisë kryen kontrolle intensive dhe më datën 05.12.2024, kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit H.B. Nga këqyrja e trupit të viktimës nuk u konstatuan shenja dhune, por nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimeve të tjera hetimore, grupi hetimor krijoi dyshime se ngjarja nuk ishte aksidentale.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore u dokumentua dhe me prova shkencore se shtetasi Majlind Habibi, 35 vjeç, banues në lagjen nr. 15 Durrës, më datë 02.12.2024, pas një konflikti për motive të dobëta, ka shtyrë duke e hedhur nga një urë në kanalin e ujërave të zeza shtetasin Branko Shkoza, i cili, si pasojë e rrëzimit, ka humbur jetën.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, pas një pune intensive hetimore të bëra në lidhje me denoncimin bërë nga një shtetas u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të vrasjes së shtetasit Branko Shkoza, 33 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/