RTSH 24 Live

Art

Dua Lipa, “Time” e klasifikon si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë për vitin 2021

26/02/2021

Dua Lipa, “Time” e klasifikon si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë për vitin 2021

Dua Lipa korr një tjetër sukses historik në karrierën e saj. Revista “Time” e klasifikon si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë për vitin 2021. Tashmë emri i saj renditet i pari në listën e njerëzve që "do t'i japin formë të ardhmes", siç e cilësojnë kryeredaktorët dhe drejtorët ekzekutivë të kësaj reviste. Nga 6 kopertinat e këtij numri, njëri prej tyre i kushtohet këngëtares së famshme me origjinë shqiptare, për kontributin dhe talentin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në muzikë në kaq pak kohë.
Artikulli për këngëtaren u shkrua nga legjenda e popit Kylie Minogue, e cila është njëkohësisht edhe fituese e çmimeve Grammy Award. Ajo e vlerëson Duan si një yll të ri ‘të ndritshëm’ dhe një shteg verbues nëpër kozmosin e muzikës pop. Minogue shton gjithashtu se “Arritjet e saj janë të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh faktin që ajo është vetëm 25 vjeç. Është e sjellshme, e zgjuar dhe unë si miliona njerëz të tjerë i kemi sytë drejt saj dhe presim gjithmonë e më shumë nga Dua Lipa.”
Megjithëse vetëm para katër vitesh ajo e lançoi albumin debutues, sot ajo po vallëzon dorë për dorë me yjet e kësaj kohe, pasi e ka gdhendur me precizitet vendin e saj në skenën kulturore”- shton më tej Minogue, duke vlerësuar në këtë mënyrë edhe etikën profesionale të Duas.
Lipa ka fituar shumë çmime gjatë karrierës së saj, duke përfshirë dy çmime Grammy, tri çmime Brit dhe dy çmime MTV Europe Music. Ajo është nominuar edhe për tri çmime Billboard, një çmim American Music dhe dhjetë çmime MTV Video Music.