RTSH 24 Live

Aktualitet

Dua Lipa: Komentet negative në adresë të shqiptarëve janë të pakëndëshme, duhet të luftohet ksenofobia

28/11/2022

Dua Lipa: Komentet negative në adresë të shqiptarëve janë të pakëndëshme, duhet të luftohet ksenofobia

Komenteve negative të disa mediave britanike, si dhe etiketimet e bëra nga sekretarja e Brendshme britanike, Suela Braveman, në adresë të shqiptarëve, u është përgjigjur edhe këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa. Sipas saj, etiketimet për shqiptarët si “kriminelë”, janë krejtësisht të padrejta dhe të papranueshme.

Në një konferencë për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, Lipa u shpreh se është e nevojshme të luftohet ksenofobia në botë, si dhe është e nevojshme se duhet të ndryshohet stigma që njerëzit kanë ndaj shqiptarëve.

“Eshtë fatkeqësi e madhe si shihemi ne në sytë e politikanëve të tjerë. Janë fjalë të pakëndëshme. Mendoj që kemi nevojë të luftojmë ksenofobinë në botë, është e nevojshme. Ne duhet ta ndryshojmë stigmën që kanë njerëzit ndaj shqiptarëve. Kjo është ajo që mund të bëjmë, pasi kemi nevojë të pranohemi si rezidentë në çdo vend ku jetojmë”,- tha Dua Lipa.

Ndërsa Veliaj e ka vlerësuar si një ‘grand finale’ koncertin e Dua Lipas, mbrëmjen e sotme në sheshin “Skënderbej”, koncerti i cili mbyll edhe turin e këngëtares më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare.

“Mendoj se nuk kishim një moment më të bukur dhe më të mirë, për ta mbyllur këtë vit, kur Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë, kur kemi përvjetorin e Pavarësisë, me shtetasen më të re shqiptare, Dua Lipa. Ky qytet ka pasur aq shumë aktivitete dhe energji pozitive, por kjo është “grand finale” edhe për ne. Kemi të gjithë energjinë pozitive për të pasur një superfestë sot për Pavarësinë. Dua t’ju uroj një mirëseardhje të gjithëve atyre që kanë adhur nga Kosova, Lugina e Preshëvës, Mali i Zi. Do të kalojmë shumë shumë bukur sot,”- u shpreh Veliaj në konferencën e përbashkët për mediat me Dua Lipan.  

/rtsh.al/