RTSH 24 Live

Rajoni

Dritan Abazoviç kërcënohet me vdekje, akuzon grupet kriminale të lidhura me zyrtarët e arrestuar të policisë

25/07/2022

Dritan Abazoviç kërcënohet me vdekje, akuzon grupet kriminale të lidhura me zyrtarët e arrestuar të policisë

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç  ka deklaruar se është kërcënuar me jetë dhe ka kërkuar nga policia dhe shërbimet sekrete që të hetojnë mbi këto kërcënime. Sipas Abazoviç ai i ka marrë kërcënimet për shkak të arrestimit të Petar Lazoviçit, punonjësi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe Ljubo Miloviç, zyrtar i Drejtorisë Policore, të cilët akuzohen krijimin e një organizate kriminale që u zbërthye nga Europol

Sipas medias malazeze “Vijesti”, Abazoviç ka kërkuar nga institucionet që të mbledhin informacione për çështjen dhe të nxjerrin në pah të vërtetën, duke thënë se nuk ka ushtruar asnjë ndikim te prokurorët dhe gjyqtarët në ndonjë rast të veçantë.

“Zyrtari i arrestuar i ANB-së Petar Lazoviç ka problem me ligjin. Kjo, shpresoj, është e qartë për të gjithë ata që duan që unë të ngulmoj me kolegët e mi në misionin e krijimit të një shteti ligjor, nga i cili nuk do të heq dorë as edhe një milimetër, pavarësisht kërcënimeve, toneve ekstremiste, gjuhës së urrejtjes. Nga disa burime jam informuar se në rrëfimet e grupeve të afërta me Lazoviçin, kam qenë kryesisht në shënjestër për shkak të problemeve të tyre me ligjin. Po ashtu, më thanë se po mundohen të krijojnë një atmosferë në të cilën unë, nga pozita e kryeministrit, gjoja po u bëj “presion” prokurorëve që ta ndjekin penalisht Lazoviçin dhe grupin kriminal-biznes të njerëzve rreth tyre”, tha Abazoviç.

Ai akuzon se një pjesë e strukturave kriminale po tentojnë të sulmojnë qeverinë për të krijuar destabilitet.

“Por nuk ka asnjë skenar në të cilin “dora e drejtësisë” do të ndalet. Përkundrazi, përpjekjet për sabotim, tonet ekstremiste, gjuha e urrejtjes apo kërcënimet janë të kota. E di që kjo shkakton zhgënjim për shumë njerëz, por ne kemi treguar se Mali i Zi po ecën në rrugën e lirisë dhe nuk ka vend për kartelet e drogës, kontrabandistët e cigareve apo elitën e korruptuar”, tha ai.

Në 2021, Europol i dorëzoi autoriteteve ligj-zbatuese të Malit të Zi informacione se zyrtarët e policisë Petar Lazoviç dhe Ljubo Milović ishin anëtarë të një grupi kriminal.

/rtsh.al/