RTSH 24 Live

Politikë

Drejtuesi i PL, mesazh nga qelia nr. 5. Meta: Zgjedhjet e 11 majit, betejë elektorale historike

13/03/2025

Drejtuesi i PL, mesazh nga qelia nr. 5. Meta: Zgjedhjet e 11 majit, betejë elektorale historike

Për Partinë e Lirisë, pjesë e koalicionit "Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore" dhe për drejtuesin e saj Ilir Meta, zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit janë një betejë elektorale historike.

Pas dorëzimit të listave në mesnatën e 12 marsit dhe nga qelia nr. 5 e paraburgimit, Meta, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale tha se forca që ai drejton e nis garën me një përfaqësim dinjitoz me katër kandidatë.

"Nuk mundemi dot, për më tepër për shkak të sakrificave që duhen bërë kur hyn një koalicion dhe pamundësisë së krijuar për të pasur kandidatë në 4 Qarqe. Asnjëherë përzgjedhja nuk është e lehtë, por pa asnjë diskutim kjo është përzgjedhja më përfaqësuese që kemi bërë sepse bazohet në tre Qarqet më të mëdha të Shqipërisë: Tiranë, Fier dhe Elbasan.

Ndërkohë lista e hapur e Tiranës do të jetë surpriza historike e këtyre zgjedhjeve. Këtë më mirë se kushdo e ndjeu Kryetari [shën. kryeministri Rama] i çoroditur i Organizatës, i cili u gafur njëherë se do të dilte në listë të hapur por kur kuptoi listën e hapur të kundërshtarëve i shkoi njëherë në mendje të mos e vinte emrin fare në listë për t’u dhënë një garanci të rreme të gjithë të tremburve nga aferat e panumërta që ende nuk janë prekur, se fitorja do ishte e sigurtë," shkroi Meta.

Vetë presidenti i PL-së garon në listë të hapur në Tiranë, lëvizje e cila u përshëndet nga deputetja dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

"Veprimi i Ilir Metës për të kandiduar në listë të hapur tregoi edhe një herë që është politikan dhe është burrë shteti. Nuk është frikacak që fshihet pas listave të mbyllura. Është një njeri që merr përsipër 'në qoftë se nuk më votojnë qytetarët e mi, s'kam pse të rri në parlament'," deklaroi znj. Kryemadhi jashtë ambienteve të Kuvendit.

Katër kandidatët nga Partia e Lirisë, që garojnë në listë të mbyllur, janë: Edmond Haxhinasto në qarkun e Elbasanit, Brunilda Haxhiu në qarkun e Fierit dhe Tedi Blushi e Erisa Xhixho në qarkun e Tiranës.

Gazetare: Melisa Shameti

/rtsh.al/