RTSH 24 Live

Ekonomi

Drejt Shqipërisë janë importuar gati 81 miliardë lekë makineri e pjesë këmbimi

20/07/2021

Drejt Shqipërisë janë importuar gati 81 miliardë lekë makineri e pjesë këmbimi
 

Drejt Shqipërisë janë importuar gati 81 miliardë lekë makineri dhe pajisje dhe pjesë këmbimi gjatë gjysmës së parë të këtij viti, shkruan ATSH.

Referuar të dhënave të publikuara së fundmi nga INSTAT, importi i makinerive, pjesëve të këmbimit dhe pajisjeve u rrit me 26.5 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, çka tregon një tendencë pozitive drejt rritjes së investimeve.

Importi për mallrat bazë të industrive prodhuese lidhet me zgjerimin e aktivitetit të këtyre sektorëve dhe interesin në rritje të sipërmarrjes për përdorimin e teknologjive bashkëkohore që përmirësojnë cilësinë e prodhimit.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, Italia, Kina dhe Turqia ishin partnerët kryesorë me volumin më të madh në vlerë të importit të kësaj kategorie. Gjithsej nga Italia u importuan 19 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Nga Kina u importuan 14.4 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Ndërsa nga Turqia u importuan 5.2 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.
Fluksi hyrës i IHV-ve në Shqipëri ka ruajtur një trend rritës pozitiv gjatë viteve. Pavarësisht situatës së krijuar për shkak të pandemisë së COVID-19, sërish Shqipëria paraqet interes për investitorët e huaj.

Sipas të dhënave zyrtare, investimet e huaja në Shqipëri prekën shifrën e 933 milionë eurove në fund të vitit të kaluar.

Fokusi për zhvillimin e ekonomisë shqiptare do të mbetet tërheqja e investimeve të huaja direkte me prioritet në sektorët ku ekonomia shqiptare ka potencial të pashfrytëzuar si në aspektin e burimeve natyrore, ashtu dhe në zhvillimin e sektorëve që ende nuk janë duke performuar me potencialin e tyre të plotë.

Të tillë sektorë janë sektori i energjisë së rinovueshme, sektori i turizmit, sektori i agrobiznesit, sektori i infrastrukturës dhe ai i shërbimeve.