Publiku shqiptar është njohur prej ditësh me një draft ende hipotetik të statutit që Bashkimi Evropian ka parashikuar për funksionimin e Asociacionit brenda Kosovës.
Bashkësia e komunave me shumicë serbe dhe rrjedhojat e saj ishin tema e mbrëmjes në emisionin 3D në RTSH.
Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate në Kosovë, e kundërshtoi edhe sot dokumentin duke protestuar simbolikisht para godinës së kryeministrisë në Prishtinë.
"Ajo që tashmë është bërë publike është se Kosova ka një republikë etnike dhe si reagim ndaj kësaj ne kemi ndërruar flamurin e Kosovës, të cilin edhe nga ana simbolike përmban 6 yje. Tashmë qartazi janë vizatuar kufijtë e brendshëm etnikë në Kosovë, të cilët janë të shkruar në tekstin e draftit të shkruar. Ky është tharmi ose fara e bazës së konfliktit nacionalist mes Kosovës dhe Serbisë," u shpreh kryetari Molliqaj.
"Kjo po ndodh pa e njohur Serbia, Kosovën, pa e hequr nga Kushtetuta e saj. Kur një gjë e tillë ndodh në këto rrethana, shto këtu edhe dy liderë autoritarë, njëri në Serbi dhe tjetri në Kosovë, kjo mund të jetë befasi, por për dikë tjetër kjo është vazhdimësi.
Me këtë draft i është njohur e drejta Arbitrazhit për kontestet që mund të ketë Asociacioni, se si interpretohet një kompetencë e asociacionit," shtoi z. Molliqaj.
/rtsh.al/