RTSH 24 Live

Ekonomi

DPT thirrje bizneseve: Nëse keni gjetur zgjidhje softuerike, çregjistroni pajisjet fiskale! 

15/07/2021

DPT thirrje bizneseve: Nëse keni gjetur zgjidhje softuerike, çregjistroni pajisjet fiskale! 

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në vijim të interesimit të vazhdueshëm të subjekteve tatimpagues që kanë implementuar dhe po përdorin një zgjidhje softuerike të çertifikuar para fillimit të efekteve të ligjit nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” i ndryshuar dhe nuk po përdorin më pajisjet fiskale të instaluara, kërkon të sqarojë të gjithë subjektet e interesuara për sa vijon: 

Të gjithë tatimpaguesit që kanë zgjedhur të lëshojnë fatura për transaksionet me para në dorë nga një zgjidhje softuerike e certifikuar dhe për rrjedhojë nuk po përdorin më pajisjet fiskale të instaluara, duhet të marrin masat për të kryer procedurën e çregjistrimit të këtyre pajisjeve fiskale në përdorim.  

Për këtë qëllim, subjekti tatimpagues njofton organin tatimor zyrtarisht në rrugë shkresore apo elektronike nëpërmjet plotësimit të një kërkese të përpiluar vetë nga tatimpaguesi.
Në kërkesë ai duhet të theksojë se ka implementuar një zgjidhje softuerike të certifikuar dhe kërkon të kryejë çregjistrimin e pajisjeve fiskale që nuk i përdor më. 
Kërkesa shoqërohet me të dhënat identifikuese të zgjidhjes softuerike në përdorim ose kopje e kontratës së instalimit dhe mirëmbajtjes nga shoqëria e zgjidhjes softuerike. 

Pas miratimit të kërkesës nga ana e Administratës Tatimore, shoqëria e autorizuar kryen çregjistrimin e pajisjes fiskale dhe ruan memorien fiskale të saj.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kujton bizneset se çregjistrimi i pajisjeve fiskale që nuk përdoren nga ana e çdo subjekti tatimpagues është një detyrim ligjor i tyre. 

Për çdo problematikë të hasur në zbatimin e kësaj procedure, bizneset mund të kontaktojnë duke komunikuar me HelpDesk për Fiskalizimin drejtpërsëdrejti nga portali i dedikuar http://helpdesk.tatime.gov.al/, duke dërguar email në adresën Fiskalizimi.helpdesk@tatime.gov.al apo duke kontaktuar Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 00 02.