RTSH 24 Live

Politikë

Dorëzohet Salianji, Peçi: “Këtë nder ia bëri Berisha Ramës, ujku do mjegull!”

4 orë para

Dorëzohet Salianji, Peçi: “Këtë nder ia bëri Berisha Ramës, ujku do mjegull!”

Gazetari Ermal Peçi ka deklaruar në emisionin “Jetë Shqiptare” se me rastin e Ervin Salianjit, ish-kryeministri Sali Berisha i ka krijuar Edi Ramës një mjedis të atillë politik për të vepruar kundrejt opozitës.

Peçi ka theksuar se Salianji ka qenë një figurë me ndikim brenda Partisë Demokratike ndërsa sipas tij, ka pasur shumë eksponentë brenda së djathtës që nuk e kanë dashur deputetin demokrat.

Duke iu referuar dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji për shpifje dhe rastit të vendimit të gjykatës për vulën e Partisë Demokratike, gazetari Peçi tha se opozita ka pasur sjellje të dyfishta me këto dy çështje.

Ervin Salianjin nuk e kanë dashur të gjithë brenda Partisë Demokratike. Salianji është një njeri që është rritur në Partinë Demokratike. Ka pasur rrjetin në Partinë Demokratike dhe ka pasur aspirata. Ai ka qenë kundër Bashës, ka qenë kundër Berishës dhe shpeshherë Salianji ka cenuar atë që çfarë kanë dashur të bëjnë liderët politikë. Ne sot duhet të jemi koshient që brenda Partisë Demokratike, ata individë që dalin e mbështesin publikisht Salianjin e bëjnë sa për sy e faqe. Në anën tjetër edhe vetë Edi Ramës i interesonte që ta godiste politikisht sepse u përfshi me një nga njerëzit më të pushtetshmit të politikës shqiptare, si Fatmir Xhafaj dhe kjo marrëveshje, duke nisur nga amnistia penale, duke u nisur nga reforma zgjedhore ka arritur në këtë pikë; ujku që të veprojë do mjegull dhe këtë mjegull mund t’ia japë Sali Berisha, Edi Ramës me protesta, me luftën që ka me drejtësinë sepse në një anë kur merret vendimi për t’i dhënë vulën Partisë Demokratike “janë gjyqtarë kurajozë”, në anën tjetër kur merret një vendim që dënohet një deputet, atëherë “kontrollohet nga Rama”. Ka disa mënyra komunikimi që kërcasin në opinionin publik”, u shpreh gazetari Peçi.

/rtsh.al/