RTSH 24 Live

Serbi

Dokumenti i inteligjencës amerikane pretendon se Serbia ka rënë dakord të armatosë Ukrainën

12/04/2023

Dokumenti i inteligjencës amerikane pretendon se Serbia ka rënë dakord të armatosë Ukrainën

Serbia, shteti i vetëm në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës, ra dakord të furnizojë me armë Kievi ose i ka dërguar ato tashmë, sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit shkruan sot Reuters.

Dokumenti, një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe "arsenal armësh" ishte në mesin e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të postuara në internet javët e fundit në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite.

I titulluar "Evropa| Përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë", dokumenti në formën e grafikut rendit "pozicionet e vlerësuara" të 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.

Grafiku tregonte se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte armë ose i kishte furnizuar tashmë. Në dokument thuhet gjithashtu se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësinë ushtarake për t'i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.

Dokumenti mban datën 2 mars dhe është e stampuar me vulën e zyrës së Shefit të Shtabit të Përbashkët dhe në të është shënjuar si “Sekret” dhe NOFORN, duke ndaluar shpërndarjen e tij për shërbimet e huaja të inteligjencës dhe ushtritë.

Në grafikun e Pentagonit përgjigjet ndaj kërkesave të Ukrainës për ndihmë ndahen në katër kategori: vendet që ishin zotuar të ofronin trajnime dhe ndihmë në armatim vdekjeprurës; vendet që kishin ofruar tashmë trajnime, armatim vdekjeprurës ose të dyja; vendet me aftësinë ushtarake dhe vullnetin politik "për të ofruar armë në të ardhmen".

Austria dhe Malta ishin të vetmet dy vende të shënuara me "Jo" në të katër kategoritë.

Zbulimi i grafikut vjen pak më shumë se një muaj pasi dokumentet e postuara në një kanal pro-rus në aplikacionin global të mesazheve Telegram, treguan dërgesën nga një prodhues serb i armëve të raketave tokë-tokë 122 mm Grad në Kiev në nëntor. Dokumentet përfshinin një manifest të dërgesës dhe një çertifikatë të përdoruesit përfundimtar të qeverisë ukrainase.

Moska tha në mars se i kishte kërkuar Beogradit një shpjegim zyrtar për dërgesat e supozuara, citoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS të thoshte zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.

Prodhuesi i armëve Krusik Corp. i Valjevos mohoi t'i ofrojë raketa ose armë të tjera Ukrainës. Vuçiç i quajti akuzat "një gënjeshtër famëkeqe".

“Ne nuk kemi eksportuar asnjë armë apo municion në Rusi apo Ukrainë”, tha ai gjatë një vizite në Katar më 5 mars.

Reuters nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumentacionit të dërgesës të postuar në Telegram.

Që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar, Vuçiç është përpjekur të balancojë lidhjet e ngushta me Moskën me synimin e tij për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Por Serbia është i vetmi shtet mes 44 shteteve europiane që ka refuzuar sanksionet ndaj Rusisë.

Shkrimi i Reuters ka për autor Jonathan Landay and Aleksandar Vasovic

/rtsh.al/