RTSH 24 Live

Kosovë

Djegia e makinave në veri/ Haradinaj: Vuçiç të heqë dorë nga destruktiviteti, BE dhe SHBA të mbrojnë marrëveshjen e Ohrit

31/03/2023

Djegia e makinave në veri/ Haradinaj: Vuçiç të heqë dorë nga destruktiviteti, BE dhe SHBA të mbrojnë marrëveshjen e Ohrit

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj ngjarjeve në veri të Kosovës, ku u dogjën pesë makina me targa të Republikës së Kosovës.

Sipas Haradinajt, incidentet e ditëve të fundit janë tregues serioz se mund të ketë një skenar për të penguar zgjedhjet në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë pjesë të vendit.

“Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë. Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel”, shkruan Haradinaj në një postim në rrjetin social, në Facebook.

Ai më tej thotë se refuzimi i Listës Serbe për të marr pjesë në zgjedhjet lokale atje shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Haradinaj ka kërkuar që Serbia dhe Kosova të zbatojnë marrëveshjen e Brukselit dhe ankesin e takimit të Ohrit.

“Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme.

Njëkohësisht, kërkoj nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të sponsorizuar prej tyre, si bazë e fortë e rivendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Kosovës”, thekson Haradinaj.

/rtsh.al/