RTSH 24 Live

Ekonomi

Dixhitalizimi i shërbimeve, Shoqata e Bankave: Synon minimizimin e transaksioneve me para në dorë

14/06/2022

Dixhitalizimi i shërbimeve, Shoqata e Bankave: Synon minimizimin e transaksioneve me para në dorë

Paraja fizike në treg dhe minimizimi i transaksioneve financiare me këto para, ishte thelbi i debatit mes bankave dhe autoriteteve publike në një forum ekspertësh të njohur. Bankat tregtare këmbëngulin se kanë investuar dhe janë të parat në rajon sa i përket transaksioneve financiare jashtë sporteleve të bankave. Qeveria kërkon më shumë përfshirje të tyre në këtë proces të rëndësishëm pas 1300 shërbimeve online që ka realizuar për qytetarët dhe bizneset.

Në forumin e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave me pjesëmarrjen e ekspertëve më të njohur të bankave tregtare të nivelit të dytë, por edhe të ekspertëve të huaj, u debatua dhe u ofruan përvoja që sigurojnë minimizimin e transaksioneve me para në dorë.

Banka e Shqipërisë, nëpërmjet kreut të saj tregoi edhe njëherë se po punon në këtë drejtim dhe se pret bashkëpunim mes saj dhe autoriteteve publike, ndërsa Ministria e Financave u fokusua në përvojën e mirë me bankat lidhur me pagesat dhe synimet për plotësimin edhe të këtij shërbimi në gjithë territorin e vendit, duke aktivizuar edhe kartën sociale nëpërmjet postës shqiptare dhe më shumë se 430 filialeve të saj.

Ekspertë të huaj vlerësuan hapat e deritanishme të bankave tregtare, ndërsa në forum u soll përvoja nga vende të rajonit apo edhe praktika të kompanive shqiptare për shërbimet e ofruara në tregun e pagesave në bankingun modern dhe jo vetëm.

Sipas të dhënave nga organizatorët e këtij forumi, përdorimi i pagesave bankare në distancë u rrit për të gjashtëmbëdhjetin vit radhazi gjatë 2021. Vitin e kaluar numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 5.13 milionë.

Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e zgjeruan numrin e veprimeve bankare në distancë me një të katërtën apo saktësisht 24.5% .Veprimet bankare në distancë ose veprime të home banking në pjesën dërrmuese janë veprimet bankare që kryhen nëpërmjet internetit apo aplikacioneve në telefonat celularë.

Për vitin 2021 volumi total i transaksioneve arriti në më shumë se 1.2 triliardë lekë, në rritje me 15.5% krahasuar me një vit më parë.

Në fund të vitit 2021, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 709 mijë, në rritje vjetore me 21%. 89% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Vitin e kaluar individët shënuan edhe shkallën më të lartë të rritjes së numrit të llogarive të lidhura me internetin, me 22% më shumë. Për sa i përket bizneseve, numri i llogarive të lidhura me internetin u zgjerua me 13.7%.

Përdorimi i kanaleve bankare alternative po mbështetet nga zhvillimet e shpejta teknologjike.

/rtsh/