RTSH 24 Live

Sociale

Divorcet në Shkodër rriten vit pas viti, avokati veçon "mosndërgjegjësimin" si arsye

8 orë para

Divorcet në Shkodër rriten vit pas viti, avokati veçon "mosndërgjegjësimin" si arsye

Të lidhësh një martesë të duket e lehtë, por gjatë jetës çiftet përballen me problematika të ndryshme, që arrijnë deri tek divorcet.

Avokati Fatbardh Kadrija shprehet se në Shkodër numri i rasteve të divorceve është rritur nga viti në vit.

"Zgjidhjet e martesës janë ato çështje që fatkeqësisht po njohin vetëm rritje nga viti në vit. Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër në vitin 2023 kanë qenë 328 raste kërkesash dhe kërkesë-padish për zgjidhje martese. Në vitin 2024, 377 raste të reja, shto edhe çështjet e bartura nga viti 2023, një total prej 572 rastesh për gjykim pranë kësaj Gjykate," tregon z. Kadrija.

Por cilat janë arsyet që çojnë në zgjidhjen e një martese?

"Një nga shkaqet kryesore është mosndërgjegjësimi i personave në lidhjen e martesës. Kjo do të thotë që në momentin që çifti ndërmerr veprimin për t'u lidhur në martesë, ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm për çfarë po kryejnë. Pra, vetë martesa është një kontratë, ku secili bashkëshort merr përsipër të drejta dhe detyrime," shprehet avokati.

Cila do të ishte këshilla më e mirë sidomos për çiftet e reja ?

"Të fillojë ndërgjegjësimi që te lidhja e martesës. Pra, të marrin përsipër ato të drejta dhe detyrime dhe të jenë sa më larg ndikimeve nga të tretët," thotë z. Kadija.

Gazetare: B. Cina

/rtsh.al/