RTSH 24 Live

Aktualitet

Dita Ndërkombëtare e Paqes, politika mesazhe

21/09/2021

Dita Ndërkombëtare e Paqes, politika mesazhe

Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje kontributin e Shqipërisë në NATO. “Si një vend anëtar në NATO, Shqipëria ka kontribuar dhe do të vazhdojë të japë kontributin e saj në misione paqeruajtëse anembanë globit, në rritjen e bashkëpunimit, sigurisë e tolerancës”, siguroi kryeministri Rama, duke shtuar se  “kjo ditë na rikujton se ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa ato që mund të na ndajnë”, shkruan zoti Rama në një reagim në rrjete sociale.

Po ashtu edhe Presidenti Ilir Meta ka dhënë një mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Paqes. Zoti Meta thekson se si anëtare e NATO-s Shqipëria duhet të vijojë me dinjitet, angazhimin dhe kontributin e saj për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe kudo tjetër. "Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes nderojmë sot kujtimin e paharruar të Dëshmorëve të Atdheut, Kapiten Feti Vogli, Major Klodjan Tanushi dhe Nëntetare Zarife Hasanaj, të cilët ranë në krye të detyrës, në misione ushtarake jashtë Atdheut, për një botë në paqe dhe më të sigurt.Si anëtare e NATO-s, Shqipëria duhet të vijojë me dinjitet, angazhimin dhe kontributin e saj për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe kudo tjetër, duke dhënë në radhë të parë shembullin e vet për ruajten e vlerave dhe parimeve, që përfaqëson kjo Aleancë, në zemër të së cilës është demokracia", shkruan presidenti Meta.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përshëndetur sot me një mesazh Ditën Ndërkombëtare të Paqes. Zonja  Nikolla thekson se sot Shqipëria është bërë një kontribuese e spikatur e paqes dhe vazhdon të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit, sigurisë, tolerancës e mirëkuptimit në rajon e më gjerë.

Çdo vit, në 21 shtator, mbarë bota feston Ditën Ndërkombëtare të Paqes.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur këtë ditë për t’ju përkushtuar forcimit të idealeve të paqes, qoftë brenda ashtu edhe ndërmjet vendeve dhe popujve.