RTSH 24 Live

Politikë

Dita e Pavarësisë së Estonisë, Ruçi uron Põlluaas

23/02/2021

Dita e Pavarësisë së Estonisë, Ruçi uron Põlluaas

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka shprehur kryeparlamentarit estonez Henn Põlluaas mirënjohje për mbështetjen për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE si dhe për Kosovën. Zoti Ruçi, i ka dërguar një letër urimi zotit Põlluaas, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Estonisë."Shpallja më 23 shkurt të vitit 1918 e Manifestit  të të Gjithë Qytetarëve dhe publikimi i tij më 24 shkurt shënoi themelimin  e republikës së pavarur dhe demokratike të Estonisë. Këto dy ditë janë ngjarje të shënuara me rëndësi historikë për popullin estonez dhe të ardhmen e tij" shkruan zoti Ruçi.  
Ai vlerëson se "Estonia është një vend mik dhe partner i Shqipërisë në NATO si edhe një mbështetëse e fuqishme e integrimit tonë europian, kontribuese e spikatur në vendimin e Këshillit Europian të datës 25 mars 2020 për çeljen e negociatave dhe asistencën në këtë proces".  "Memorandumi i Mirëkuptimit për Integrimin Evropian, midis Ministrive të Punëve të Jashtme të dy vendeve tona, nënshkruar në tetor 2019, është një tregues i këtij kontributi" shkruan zoti Ruçi. "Shqipëria i është mirënjohëse Estonisë edhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe aspiratave të saj auro-atlantike" shton ai.
Kreu i parlamentit shqiptar shpreh bindjen se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Riigikogu i Republikës së Estonisë do të vazhdojnë të kontribojnë në forcimin e marrëdhënieve e bashkëpunimit midis të dy vendeve e dy popujve tanë.