RTSH 24 Live

Kosova

Dita e parë si president, Joe Biden nënshkruan 17 dekrete

21/01/2021

Dita e parë si president, Joe Biden nënshkruan 17 dekrete

 

 

Pas përfundimit të ceremonive për ardhjen në detyrë, Biden mbërriti në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë dhe nënshkroi 17 dekretet e para të tij për të kthyer mbrapsht politikat e shumë debatueshme gjatë periudhës së Trumpit.

Presidenti njoftoi se bisedën e parë telefonike do ta zhvillojë me kryeministrin kanadez

Fillimisht Biden nënshkroi dekretin që e bën të detyrueshme vendosjen e maskës për shkak të COVID-19 në ndërtesat dhe kampuset federale.

Biden nënshkroi dekretin presidencial për t'u përfshirë sërish në Marrëveshjen e Parisit për Klimën nga e cila u tërhoq Trump i cili mohoi ngrohjen globale.

Gjithashtu Biden nënshkroi edhe një dekret për rikthimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në të cilën Trump ishte tërhequr pas pandemisë së COVID-19.

Presidenti Biden hoqi edhe një nga ndalesat për udhëtim të vendosur ndaj disa vendeve muslimane të cilat Donald Trump I pati vendosur me një dekret të nënshkruar 1 javë pas ardhjes së tij në detyrë.

Po ashtu ai nënshkroi edhe një dekret për ndërprerjen e fondeve të siguruara për murin e ngritur në kufi me Meksikën i cili ka qenë një prej vendimeve më të debatueshme në periudhën e Trumpit.

Biden nënshkroi edhe një dekret për anulimin e projektit të linjës së tubacioneve të naftës Keystone XL të cilën Obama pas 7 vite vlerësimesh e kishte refuzuar në nëntor 2015 për shkak të arsyeve mjedisore dhe të cilën Trump e kishte miratuar.

Parashikohej që projekti i linjës së tubacioneve të naftës prej 2.735 kilometra të kryente transmetimin e rreth 800 mijë fuçive në ditë të naftës kanadeze në rafineritë e SHBA-së në Gjirin e Meksikës.

Në këtë mënyrë Biden që në ditën e parë të detyrës së tij në Shtëpinë e Bardhë nënshkroi gjithsej 17 dekrete.

Në një deklaratë për gazetarët në Zyrën Ovale, Biden tha se Donald Trump i ka lënë atij një letër "shumë bujare" por që nuk do të ndajë përmbajtjen e letrës.