RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Dimitrov: Sfidat e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së janë sfida për vetë unionin

16/09/2021

Dimitrov: Sfidat e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së janë sfida për vetë unionin

Politika e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor
është e një rëndësie të veçantë për adresimin e çështjeve që prekin të ardhmen e Evropës, tha zëvendëskryeministri maqedonas, për Çështjet Evropiane Nikolla Dimitrov, në një diskutim të posaçëm në Selanik për perspektivën evropiane të rajonit, me temë ”Ballkani Perëndimor merr pjesë në dialogun mbi të ardhmen e Evropës”, inicuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë si pjesë e konferencës për të ardhmen e Evropës.

Fokusi kryesor i diskutimit ishte në rëndësinë e përfshirjes së vendeve dhe qytetarëve të rajonit në procesin diskutues për të ardhmen e Evropës në mënyrë që të japin një kontribut të përbashkët në përcaktimin e prioriteteve të integrimit evropian.

”Ishte pikërisht në Selanik, 18 vjet më parë, që Bashkimi Evropian bëri një premtim për të ardhmen evropiane e Ballkanit Perëndimor, si një shprehje e angazhimit gjeopolitik për të përfunduar ndërtimin e Evropës”, theksoi ai.

”Dështimi për të përmbushur këtë premtim ka pasoja serioze për besimin e vendeve të rajonit, por edhe për qytetarët, dhe është vërtet e vështirë të ruhet narracioni evropian. Rruga e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut është një rast veçanërisht drastik,
fakti që BE nuk është ende në gjendje të zbatojë vendimin e vitit të kaluar për fillimin e bisedimeve të pranimit flet shumë për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet BE-ja”, shtoi Dimitrov.

Në këtë kontekst, Dimitrov theksoi se pjesëmarrja e vendeve dhe qytetarëve të rajonit në Konferencën për ardhmërinë e Evropës sjell përfitime të mëdha për të gjitha palët në proces si një mundësi për të rikthyer besimin dhe bashkimin reciprok në aspektin e çështjeve prioritare./ATSH