RTSH 24 Live

Ekonomi

Digat, studim parafizibiliteti për 431 rezervuare 

22/11/2022

Digat, studim parafizibiliteti për 431 rezervuare 

Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet e para në botë për numrin e digave në raport me sipërfaqen dhe numrin e banorëve.

Në vend numërohen rreth 626 rezervuare e liqene. Një pjesë përdoren për prodhimin e  energjisë elektrike dhe pjesa tjetër për qëllime ujitje në bujqësi.

Në vite në bashkëpunim me Bankën Botërore janë bërë investime në digat e hidrocentraleve të mëdha, ndërsa për rezervuarët e vegjël të bujqësisë pritet të nisë një studim parafizibiliteti.

Burime nga ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëjnë me dije se rreth 431 diga do t’i nënshtrohen këtij studimi lidhur me nevojën e ndërhyrjes për rehabilimin e tyre.

Shuma e vendosur në dispozicion të këtij studimi është 1.6 milionë euro. 

Ai do të trajtojë problematikat e vjetërsisë dhe amortizimit që paraqesin digat e rezervuarëve, që jo pak herë janë bërë shkak për përmbytje.

Numri i lartë i digave konsiderohet si një aset i Shqipërisë gjatë periudhës së reshjeve të pakta, por paralelisht edhe një rrezik në rastet e reshjeve të shumta.