RTSH 24 Live

Rajon

Dialogu Kosovë-Serbi, delegacionet takohen në Bruksel të martën dhe të mërkurën

07/09/2021

Dialogu Kosovë-Serbi, delegacionet takohen në Bruksel të martën dhe të mërkurën

Delegacioni të Kosovës dhe ai i Serbisë, do të takohen në Bruksel të martën dhe mërkurën, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.

Sot, përfaqësuesit e të dyja vendeve do të zhvillojnë takime me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ekipin e tij, ndërsa më 8 shtator do të zhvillohet një takim mes delegacioneve, me ndërmjetësimin e BE.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, bëri të ditur se në këto takime do të diskutohen “çështjet aktuale” dhe për “hapat e mëtejshëm në vazhdimin e dialogut”. Ai tha se blloku pret që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare. 

“Ftojmë palët të adresojnë dhe zgjidhin të gjitha mospajtimet, përfshirë për vizitat zyrtare dhe të promovojnë një atmosferë që është në përputhje me pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në dobi të qytetarëve”, deklaroi Stano.

Por, burimet në Qeverinë e Kosovës pohojnë se delegacioni që do të marrë pjesë në dialogun në Bruksel,  kryesuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, do të diskutojë me përfaqësuesit e BE për çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes për energji, për targat dhe për personat e zhdukur.

Ndërsa, në takimin me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së, e vetmja temë për të cilën Kosova është pajtuar që të jetë në rend dite do të jetë ajo e personave të zhdukur.

Burimet e BE-së kanë thënë se takimet e të martës dhe të mërkurës do të shfrytëzohen për të përgatitur një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më vonë gjatë muajit shtator.