RTSH 24 Live

Aktualitet

Dhunimi i Sali Berishës, prokuroria në ‘sitë’ kartelat mjekësore, kamerat e sigurisë dhe test droge për 31-vjeçarin

08/12/2022

Dhunimi i Sali Berishës, prokuroria në ‘sitë’ kartelat mjekësore, kamerat e sigurisë dhe test droge për 31-vjeçarin
Autori Gert Shehu

Prokuroria e Tiranës vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes së paprecedentë, ku Sali Berisha u godit me grusht në fytyrë nga 31-vjeçari Gert Shehu. Pistat e hetimit janë të shumta, po ashtu edhe akuzat që hidhen nga opozita se ai ishte i infiltruar nga qeveria. Nga ana tjetër familjarët e tij pretendojnë se 31-vjeçari vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Prokuroria e Tiranës ka mbledhur të gjitha dosjet penale dhe kartelat mjekësore ndaj 31-vjeçarit. Shehu rezulton me precedent të mëparshëm penal për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe trafik droge, ndërsa gjithashtu po kurohet për probleme të shëndeti mendor. Më 16 gusht të 2022, Gert Shehu ishte diagnostifikuar me “çrregullim psikotik i papërcaktuar".

Gjithashtu hetimet janë fokusuar edhe në pistën nëse ai mund të jetë kontaktuar nga ndonjë person tjetër për këtë ngjarje, ku janë sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë për të parë itinerarin e Shehut më datë 6 dhjetor. Nga kamerat e sigurisë deri më tani rezulton se 31-vjeçari nuk është takuar me asnjë person në hapësira publike dhe nuk ka qenë në shoqërinë e personave të tjerë.

Një tjetër pistë hetimi janë edhe analizat e testiti të drogës, nëse i riu ishte nën efektin e tyre gjatë kryerjes së aktit, ndërsa prokuroria është ende ne pritje të përgjigjes së analizave laboratorike të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Gert Shehu pritet që të dalë para gjykatës më 9 dhjetor, ku prokuroria kërkon masë “arrest me burg”.

Si ndodhi ngjarja?

Gjithçka ka nisur në protestën e opozitës, një tubim paqësor i fokusuar jashtë perimetrit të sigurisë ku zhvillohej njëkohësisht edhe samiti BE-Ballkani Perëndimor. Në momentin që Sali Berisha dhe Ilir Meta iu bashkuan tubimit, 31-vjeçari ka çarë gardhin e truprojave dhe ka qëlluar me grusht në fytyrë Sali Berishën duke e gjakosur.

Menjëherë ai është ndaluar dhe dhunuar fizikisht nga truprojat dhe protestuesit, duke bërë që 31-vjeçari të përfundojë në Spitalin e Traumës.

Pas incidentit reagimet ishin të shumta, ku Berisha por edhe anëtarë të tjerë të opozitës kanë deklaruar se pas dhunës fshihet Edi Rama, ndërsa qeveria dënoi aktin e rëndë dhe kërkoi hetimin e plotë për ngjarjen.

/rtsh.al/