RTSH 24 Live

Sociale

Dhuna kibernetike, 216 raste deri në nëntor 2024, 109 janë bullizëm kibernetik

5 orë para

Dhuna kibernetike, 216 raste deri në nëntor 2024, 109 janë bullizëm kibernetik

Përtej “16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave”, një aktivitet që përfshiu shumë institucione dhe organizata të ndryshme në vend, dhuna e të gjitha formave mbetet një shqetësim i përditshëm në shoqërinë shqiptare. Mes tyre është edhe dhuna kibernetike, që po kthehet në një fenomen shqetësues.

Sipas të dhënave të UN Women Albania, 41% e grave në Shqipëri kanë përjetuar një formë dhune përmes teknologjisë. Ky fakt tregon nevojën urgjente për të adresuar dhunën digjitale, hap i ndërmarrë nga Aleanca e Grave Deputete, të cilat po përgatisin një nismë ligjore për dhunën psikologjike dhe online ndaj grave. Kjo nismë bazohet në gjetjet e studimit “Dimensioni Online i Dhunës” nga Instituti Parlamentar dhe UN Women.

Institucionet ligjvënëse dhe ato ligjzbatuese shprehën angazhimin e tyre në këtë tryezë për të nisur sa më parë punën për ndryshimet ligjore dhe institucionale për të garantuar që teknologjia dhe hapësira online të mbeten mjete për përfshirje dhe fuqizim, jo për shtypje dhe abuzim.

“Në platformën “Raporto” në faqen zyrtare aksk.gov.al gjatë periudhës janar – nëntor 2024 janë regjistruar 216 raportime (deri me datë 21 nëntor 2024). Kjo përmbledhje ofron një pasqyrë të përgjithshme mbi raportuesit, viktimat, si dhe trajtimin e rasteve.

Rastet e raportuara, ndahen në kategori të ndryshme. Për 176 rastet e analizuara për periudhën janar – tetor 2024 rezulton se vetëm për bullizmin kibernetik janë 109 raportime”, u shpreh Maneku.

Disa të dhëna për bullizmin kibernetik: 109 raste; Ekspozimi i fëmijëve: 28 raste; Shantazhimi: 14 raste; Denigrimi i figurës: 11 raste; Mashtrimi: 5 raste; Rrjedhje informacioni: 2 raste; Hakerim: 2 raste; Dhuna: 2 raste; Përmbajtje seksuale: 1 rast; Keqpërdorimi i imazhit: 1 rast; Kërcënimi: 1 rast.

Nga analiza e rasteve për periudhën janar – tetor 2024, në 133 prej këtyre raportimeve është dhënë informacion edhe për gjininë e personit raportues (personi raportues dhe jo viktima) ku 94 raste janë raportuar nga femrat dhe 39 nga meshkujt.

Pjesa më e madhe e raportuesve është e moshës nga 13 deri në 16 vjeç, por ka dhe raste mbi këtë moshë. Kjo moshë përfaqëson një grup të ri dhe aktiv të përdoruesve të internetit, duke theksuar rrezikun dhe sfidat që mund të hasin ata në mjediset online. Nga raportimet është vënë re se shumica e viktimave janë femra, të cilat shpesh janë të prekur nga raste të ngacmimit online. Ndërsa meshkujt gjithashtu mund të jenë viktima të formave të tjera të shfrytëzimit në internet. AKSK çdo rast të raportimit, e ndjek me institucionet përkatëse sipas natyrës së raportimit dhe njofton periodikisht raportuesin për ecurinë e çështjes së tij.