RTSH 24 Live

Politikë

Dendias vizitë në Tiranë, Xhaçka: Vullnet për shfuqizimin e ligjit të luftës! Ministri grek: Në Hagë për ‘çështjen e detit’

23/05/2022

Dendias vizitë në Tiranë, Xhaçka: Vullnet për shfuqizimin e ligjit të luftës! Ministri grek: Në Hagë për ‘çështjen e detit’
Ministri i Jashtëm grek dhe Ministrja Olta Xhaçka

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, ka pritur homologun grek Nikos Dendias. Në konferencën për shtyp, Xhaçka dha detaje mbi bisedimet e zhvilluara gjatë takimit me Dendias, ku mes të tjerash theksoi se ekziston vullneti i mirë për shfuqizimin e Ligjit të Luftës dhe zgjidhjen e çështjes së pronave të komunitetit çam.

Me vullnet të përbashkët ranë dakord që të punojmë bashkërisht për të zgjidhur problemet ndërmjet nesh. Pjesë e diskutimeve ishte dhe për adresimin e çështjeve që lidhet me sigurimet shoqërore, mbrojtjen sociale si dhe çështje që lehtësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. E sigurova ministrin që Shqipëria do të ndjekë një politikë aktive drejt integrimit në BE. Tashmë tre vende të Ballkanin Perëndimor janë anëtare në NATO. Ekziston vullneti i mirë për zgjidhje të pranueshme reciprokisht edhe për abrogimin e Ligjit të Luftës apo çështjen e pronave të komunitetit çam”, u shpreh Xhaçka.

Po ashtu edhe ministri grek u shpreh se Greqia do të nisë së shpejti procedurat për shfuqizimin e Ligjit të Luftës, ndërsa për çështjen e kufijve detarë dhe përcaktimit të Shelfit Kontinental, Dendias tha se po përgatisin dokumentet për t’i dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës.

Do njoftoj bashkë me kryeministrin Edi Rama vendimin tonë për përcjelljen e çështjes së delimitimit të hapësirave detare dhe shelfit kontinental në Hagë. Të dyja vendet dëshirojnë që të zgjidhim diferencat tona në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Kjo dërgon dhe një mesazh të rëndësishëm edhe për të gjithë vendet e tjera se kjo është mënyra e duhur për të zgjidhur divergjencat tona. Do depozitojmë sa më shpejt dokumentet në Gjykatën e Hagës. Edhe abrogimi për Ligjin e Luftës është diçka që ne duhet të shkëputemi dhe duhet të bashkëpunojmë që pikët historike për abrogimin e tij të përmbyllen sa më shpejt. Ne duhet të diskutojmë për çështje praktike", u shpreh ministri grek.

Kujtojmë se vendimi për t’ju drejtuar Gjykatës së Hagës për zgjidhjen e çështjes së kufijve detar ishte një dakordësi e arritur mes dy vendeve.

Sa i përket negociatave për integrimin në BE, Xhaçka u shpreh se vlerëson Greqinë për mbështetjen, teksa theksoi se shpresat mbeten për një vendim të presidencës franceze.

Një çështje e rëndësishme që u diskutua është edhe integrimi europian i Shqipërisë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet. Shpresat mbeten për një vendim të presidencës franceze. E vlerësojmë Greqinë për mbështetjen në procesin e integrimit”, tha ministrja.

Dendias ndodhet në një vizitë në Tiranë, ndërsa do të ketë një takim edhe me kryeministrin Rama. Bisedimet do të fokusohen në çështje me interes dypalësh, evropian dhe rajonal, përgatitjet për Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, situatën në Ukrainë si dhe perspektivën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

/rtsh.al/