RTSH 24 Live

Ekonomi

Denaj: Prioritet vaksinimi, financim për blerjen e dozave të reja

04/05/2021

Denaj:  Prioritet vaksinimi, financim për blerjen e dozave të reja

Ministrja e Financave, Anila Denaj, duke folur në seancën e sotme plenare në lidhje me Aktin Normativ për ndryshimet në buxhetin 2021, tha se prioritet i Qeverisë është vaksinimi i qytetarëve dhe ndryshimet parashikojnë shtesën 2 miliard lekë për Fondin Rezerve me destinacion blerja e vaksinave “Objektivi ynë vaksinimi i 2.2 milionë qytetarëve shqiptarë. Nevojiten 4.4 milionë doza vaksina. Ky vit ka nisur mbarë, jemi shumë besimplotë që parametrat fiskalë do të jenë pozitiv ashtu si edhe vitin e kaluar. Të ardhurat buxhetore në 3 muaj kanë qenë  pozitive”,tha Denaj.

Ajo sqaroi se “Deri më sot qeveria shqiptare ka nënshkruar kontrata për sigurimin e 2.2 milion dozave të vaksinave, doza të cilat janë në përdorim dhe në proces të vaksinimit të popullatës. Megjithatë, për përmbushjen e objektivit të imunizimit ndaj Covid-19 kërkohen dhe 2.2 milionë doza të tjera vaksine, e përkthyer në vlerë monetare, bazuar në cmimet e vaksinave, kjo nënkupton një financim shtesë për 2 miliardë lekësh të dedikuar për blerjen e vaksinave”, u shpreh ministrja.

Qeveria shqiptare pranoi propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për të alokuar buxhetin e nevojshëm në rezervën e buxhetit të shtetit, në përdorim sipas nevojës për çdo zhvillim në vijim.

Duke iu referuar performancës së treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 3-mujore (janar – mars 2021), ministrja Denaj, tha se është reflektuar një ecuri pozitive në arketime dhe shpenzime.

Kështu bazuar në vlerësimet mbi ecurinë e deritanishme të treguesve të buxhetit 2021, si edhe pritshmërinë e performancës së tyre deri në fund të vitit 2021, ky akt normativ përcakton vetëm një ndryshim kyc i cili ka të bëjë me shtesën me 2 miliardë lekë në Fondin Rezervë të Këshillit të Ministrave, me qëllim përballimin e shpenzimeve të blerjes së vaksinave gjatë vitit 2021, si edhe të shpenzimeve të tjera eventuale të qeverisë qe lidhen me pandemine Covid 19.

Shtesa në të njëjtën masë, pra 2 miliardë lekë është parashikuar dhe në zërin e të ardhurave tatimore, të cilat balancojnë ndërhyrjet në buxhet, por nuk prekin parametrat kyc makro-fiskalë.

Indikatorët si deficiti buxhetor dhe borxhi publik mbeten të pandryshuara dhe në përmirësim drejt një konsolidimi fiskal afatmesëm.