RTSH 24 Live

Sociale

Delvinë, në fshatin Stjar shtohen sipërfaqet e mbjella me frutikultura

16/04/2021

Delvinë, në fshatin Stjar shtohen sipërfaqet e mbjella me frutikultura

Gjatë viteve të fundit në bashkinë e Delvinës, janë rritur sipërfaqet e mbjella me agrokulturë. Janë kryesisht ullinjtë, portokallet dhe mandarinat ato që klima e Delvinës favorizon më tepër ndaj edhe banorët e saj, drejtohen kah këtyre kulturave. Krenar Çiçaj, është një prej banorëve të fshatit Stjar të kësaj bashkie, i cili prej 10 vitesh ka lënë mërgimin për tu kthyer dhe për të investuar në fshatin e tij të lindjes. Ai në rreth 1 hektar e gjysëm tokë, ka mbjellë rreth 1.100 rrënjë mandarina e portokalle. Ai tregon për RTSH-Gjirokastra,  mënyrën se si kujdeset për to dhe se sa përkushtim duan.  

“Si të tjerë shqiptarë që janë kthyer nga mërgimi, erdha dhe unë këtu dhe investova pasi pashë dhe pasi mora eksperiencë prej andej, po e shfrytëzoj atë, këtëj në vendin tonë. Këtu janë rreth 1hekar e gjysëm tokë me  rreth 1.100 rrënjë porokalle e mandarina. Edhe më parë në vendin tonë, ka patur nga këto kultura sepse i favorizon shumë klima e këtushme. Fillimisht piketohet, hapen gropat 1 plus 1 dhe fillojmë të mbjellim. Pas kësaj, duan ushqim që të rriten. Nga maji deri nga fundi i shtatorit, duhet që dy-tre herë në muaj të kujdesesh për to. Gjatë kësaj periudhe, jemi marrë me krasitjen dhe me spërkatjet. Ne jemi lidhur me agronomin që n’a tregon për çdo lloj gjëje”, shprehet Çiçaj.  

Në bashkinë e Delvinës për fermerët vështirësia më e madhe duket se është gjetja e tregut për të shitur prodhimin që nxjerrin. Çiçaj thotë se ky ishte një vit me prodhim të mbarë por mungesa e tregut i’u krijoj probleme dhe se në rast se tregu nuk sigurohet në kohën e duhur, gjithë prodhimi shkon dëm. 

“Është edhe e vështirë kjo punë. Problemi më i madh që hasim, është sigurimi i tregut. Këtë vit Delvina kishte një prodhim shumë të mbarë por shumica e fermerëve, kishin vështirësi për të gjetur treg”, shton Çiçaj. 

Në çdo fshat të bashkisë së Delvinës, banorët i janë drejtuar sektorit të bujqësisë për të fituar të ardhura ekonomike për familjet e tyre, sektor ky që tashmë shihet me përparësi prej tyre edhe për shkak të të ardhurave që mund të fitohen prej tij. Fermerët e Delvinës u bëjnë thirje edhe moshave më të reja që të drejtohen kah këtij sektori që gjithmonë mbetet baza e ekonomisë së një vendi.