RTSH 24 Live

Sociale

Delvinë, fshati Stjar që zhvillon agrokulturën dhe bujqësinë

07/05/2021

Delvinë, fshati Stjar që zhvillon agrokulturën dhe bujqësinë

Stjar quhet një fshat në bashkinë e Delvinës , anës rrugës kryesore që të çon nga njëri krah në Delvinë e nga tjetri drejt Sarandës. Nga veriu kufizohet me fshatin Bajkaj dhe Vanën, nga juglindja me Kostarin, nga lindja me Bamatatin dhe nga  perëndimi me Mavropullin. Ky është një fshat që u krijua rreth viteve 60 sipas vetë banorëve. Banorët e tij janë të gjithë të ardhur nga zonat e tjera të vendit. Atëhere merreshin kryesisht me kooperativën e pas saj me blegtori e bujqësi. 

Në të tani banorët që kanë ngelur mundohen që të ardhurat për familjet e tyre ti nxjerrin kryesisht nëpërmjet bujqësisë dhe blegtorisë ashtu si dikur . Të rinjtë kanë ikur në mërgim ndërsa të moshuarit, nëse viziton një ditë pranvere fshatin i gjen duke u marrë me punët e stinës. E teksa flet me ta, era e pemëve që kanë nëpër oborre të lë një shije të vogël për ta marrë si kujtim prej Stjarit. 

 

“Unë quhem Dhimitraq Xhavara, emri që quhet Stjar quhet sepse është djegur, dikur ka qenë më parë atje ku janë stallat tek ka qenë baxhua. Më pas në 60' u krijua fshati, u bë fermë këtu dhe u mbollën portokalle  dhe u bënë katër a pesë godina për herë të parë, pastaj më pas në 70' u bënë këto banesa. N'a pruri shtëti këtu dhe kemi që në 60' . Atëherë banorët erdhën nga kooperativat, banorët vinin nga fshatrat e tjerë, punonin atëherë, kishin porokallet, bujqësinë edhe blegtorinë ajo qe më përpara periudha më e mirë e këtij fshati ka qenë nga 60' e deri në 80' se pastaj u shkatërrua ,nëse vinit tani në këtë kohë që keni ardhur ju, sot këtu, atëhere do të mbyteshit nga era e aromës së portokalleve që u shkatërruan në 90 -97' u prishën, nuk kishim ujë dhe u thanë të gjitha .1270 banorë kemi qenë më përpara ndërsa tani kanë ngelur diku tek 500 banorë që tani merren me blegtorinë dhe bujqësinë”, na tregon më i moshuari i këtij fshati .

 

Stjari falë klimës së vecantë dhe bukurisë natyrorë dhe falë distancës së vogël që ka nga qyteti i Sarandës dhe i Delvinës ka si perspektivë edhe zhvillimin e agroturizmit.