RTSH 24 Live

Aktualitet

Dekriminalizimi, Prokuroria përfundon hetimet për 2 kandidatë

16/04/2021

Dekriminalizimi, Prokuroria përfundon hetimet për 2 kandidatë

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimet për dy kandidatë nëse do të lejohen të garojnë për zgjedhjet në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Mësohet se bëhet fjalë për kandidatin e Nismës “Thurje” Napolon Laska dhe për atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim Artur Baku. 
Organi i akuzës i dërgoi KQZ-së gjetjet nga ku rezulton se Baku ka ndryshuar emrin e tij në gjendje civile nga Afrim në Artur. Kandidati nuk ka rezultuar i dënuar me vendim të formës së prerë për ndonjë vepër penale. Sipas prokurorisë, Baku rezulton të jetë arrestuar në vitin 2015 në Fushë-Krujë për shpërdorim detyre dhe gjykata ka dhënë ndaj tij masën “arrest shtëpie”. 
Ndërsa për kandidatin e subjektit “Nisma Thurje” Napolon Laska, prokuroria ka dalë në konkluzionin se kandidati rezulton pa një të kaluar problematike.
Kujtojmë se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimin e thelluar për 30 kandidatë për deputetë të partive të ndryshme, pasi ka dyshime se janë të prekur nga ligji i Dekriminalizimit.