RTSH 24 Live

Rajon

Deklarata tronditëse e presidentit Milanoviç, reagon deputetja shqiptare në parlamentin kroat: Kosova e fitoi pavarësinë si Kroacia

30/01/2023

Deklarata tronditëse e presidentit Milanoviç, reagon deputetja shqiptare në parlamentin kroat: Kosova e fitoi pavarësinë si Kroacia

Përfaqësuesja parlamentare e pakicës shqiptare, Ermina Lekaj Prljaskaj dhe Shoqata e Themeluesve të HDZ-së “Dr.Franjo Tuxhman”, kanë reaguar ndaj deklaratave të Presidentit të Republikës kroate, Zoran Milanoviç, për aktualitetin politik.

“Shtetësia e Kosovës nuk mund të kontestohet sepse ajo u bë e pavarur sipas të njëjtit model si Kroacia”- tha përfaqësuesja parlamentare e pakicës shqiptare, Ermina Lekaj Prljaskaj , në parlamentin kroat, në një reagim të sajin ndaj deklaratës së presidentit të shtetit, Zoran Milanoviç, se “Kosova i është rrëmbyer Serbisë”.

Sipas saj, Republika e Kosovës u krijua si pjesë e procesit të shpërbërjes së RSFJ-së, njësoj si Republika e Kroacisë, duke theksuar se, sipas Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974, Krahina e Kosovës nuk ishte vetëm pjesë e Serbisë “por edhe element përbërës i federatës”.

Ajo nënvizoi se ato pushtete i’u hoqën me dhunë Kosovës, deri sa i’u hoq edhe autonomia nën presionin e Sllobodan Millosheviçit.

“Kosova vetëqeverisëse u degradua në njësi administrative, në të cilën u zbatua regjim policor dhe persekutim masiv i popullatës me shumicë shqiptare”,- theksoi përfaqësuesja e pakicave shqiptare, boshnjake, malazeze, maqedonase dhe sllave.

Sipas saj, e gjithë kjo, për shkak të shkeljes së dispozitave të së drejtës ndërkombëtare humanitare, gjë që çoi në një ndërhyrje humanitare, të njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe pikërisht në zonën e Evropës Juglindore, duke shtuar se “sfidimi i shtetësisë së Kosovës do të ishte njëlloj si sfidimi ndaj Greqisë apo Bullgarisë moderne”.

“Ashtu siç Kushtetuta e RSFJ-së e vitit 1974 dhe aktet e tjera juridike dhe vendimmarrja demokratike e qytetarëve, ishin baza juridike dhe faktike për pavarësinë e Republikës së Kroacisë. I njëjti model u zbatua edhe në rastin e pavarësisë së Republikës së Kosovës”,- ka theksuar ajo.

Edhe shoqata e themeluesve të HDZ-së "Dr. Franjo Tuxhman", dënoi fjalimin e presidentit Zoran Milanoviq në Petrinja, duke vënë në dyshim se kë përfaqëson presidenti i vendit.

Ata theksuan se janë të shqetësuar për deklaratat e presidentit Zoran Milanoviq, të cilat, sipas tyre, janë jashtë çdo fjalimi racional dhe të rrezikshme sepse mund të krijojnë pasoja në të ardhmen.

“Nuk është vetëm çështja e Ukrainës. Ukraina është vetëm shembulli më i dukshëm i papërgjegjshmërisë së tij dhe gjendjes së mjerueshme dhe të trishtuar të shpirtit të tij të varfër dhe cilësisë së dyshimtë të arsyetimit të tij jokoherent”- thuhet në deklaratë.

Komuniteti vlerëson se presidenti po përpiqet të përçajë Bashkimin Evropian, të tallet me NATO-n dhe me Kroacinë.

"Është e qartë se për një kohë të gjatë Milanoviç dëshiron të mbajë anën e Rusisë dhe se dëshiron copëtimin e Ukrainës, si një premtim për një armëpushim evropian”- thuhet në deklaratë.

Presidenti kroat, Zoran Milanoviç, tha sot se “Krimeja nuk do të jetë më Ukrainë”, duke aluduar se bashkësia ndërkombëtare tashmë ka krijuar një precedent të tillë me Kosovën.

Milanoviç tha se qëndron pas Kosovës dhe e mbështet atë, por edhe ajo, sipas tij, "i është rrëmbyer Serbisë pa miratimin e saj".

“Serbia atëherë nuk ishte vend mik për ne, dhe neve nuk na interesonte shumë”,- tha ai.

“Kjo nuk është vënia në pikëpyetje e Kosovës, por e gjithë konceptit në të cilin dikush mendon se ka të drejtë për gjithçka kur i përshtatet, dhe kur e bën tjetri të njëjtën gjë, atëherë është krim”, tha Milanoviç. Vijesti.hrt.hr

/rtsh.al/