RTSH 24 Live

Politikë

Debate të forta në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit, Bardhi: T'i hiqet mandati Xhaçkës, merr 50% të fitimit! Balla: Sill fakte

01/07/2022

Debate të forta në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit, Bardhi: T'i hiqet mandati Xhaçkës, merr 50% të fitimit! Balla: Sill fakte

Është shoqëruar me debate të forta mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për heqjen e mandatit të deputetes dhe Ministres së Jashtme pas akuzave se bashkëshorti i Olta Xhaçkës ka përfituar si investitor strategjik tokë në Dhërmi. Deputetët e opozitës kanë kërkuar heqjen e mandatit të Xhaçkës pasi sipas tyre po kryen veprimtari fitimprurëse me pasuri të shtetit. Deputeti Gazment Bardhi ka deklaruar se ministrja merr  50% të fitimeve nga kjo pronë, dhe 50% e fitimeve të tjera shkojnë në xhepin e bashkëshorti të saj, ish-deputet socialist. Ndërsa deputeti Taulant Balla ka kërkuar nga opozita që të vërtetojnë me fakte se Ministrja ka përfituar një qindarkë nga kjo veprimtari. Pas debateve, mbledhja u ndërpre pesë minuta dhe rifilloi sërish me debate.

Debatet e plota:

Bushka: Të shohim nëse jemi para rastit që të çohet në Gjykatë Kushtetuese. Olta Xhaçja si deputete çfarë pasurie shteti përdor personalisht?

Bardhi: Kjo është pasuri e ministres Olta Xhaçka. Referuar vendimeve të Komitetit të Investimeve strategjike dhe një vendimi të Këshillit të Ministrave. Në rast se aksionet janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur (bashkëshorti), ato vlerësohen si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit.

Xhaçka është aksionere për çdo pasuri të vënë gjatë martesës. Pra ministrja nuk e ka 100% këtë pronë, por ka 50% të fitimeve nga kjo pronë. Ministrja po kryen një veprimtari fitimprurëse me pasuri të shtetit. Pronën e keni këtu, këto koordinata i keni te vendimi i Këshillit të Ministrave.

Balla: Në eksperiencën 30 vjeçare të këtyre rasteve, kërkuesit i janë referuar provave. A ka fituar ministrja një qindarkë dhe nëse po, në çfarë rruge e ka marrë? Me bankë, cash, çek? Ma provoni me fakte që ta ketë marrë një qindarkë

Bardhi: Pyetja është shumë pa sens, sepse fitimet nuk janë vetëm në monedhë. Zonja ka përfituar të drejtën e ushtrimit të veprimtarive fitimprurëse. Di që kanë fituar si shtresë në nevojë pagë lufte. Këtë ka marrë. Vitin që vjen do shohim sa do jetë fitimi nga kjo pronë. Po kryen veprimtari tregtare me pronë shtetërore.

Balla: Përgjigja e përfaqësuesit të kërkuesve ishte e plotë dhe na konfirmon faktin se nuk kemi të bëjmë me parashikimet e nenit 70 pika 3.

Fitimi është i matshëm me para. Fitimi nuk ka ndodhur dhe nuk jemi para parashikimit të nenit 70 pika 3. Ka ndodhur përfitimi? Sa ka qenë? Fitimi do të ndodhë, por nuk ka ndodhur. Këtu nuk ka pasur fitim. Nuk provohet në kërkesë që një qindarkë të jetë futur si fitim në familjen e deputetit në fjalë. Kjo çështje është e qartë për opinionin publik. Do kërkoj kohën e nevojshme për ta elaburuar qëndrimin në fjalë.

/rtsh.al/