RTSH 24 Live

Aktualitet

Danimarka tërheq kufizimet, nga 1 shkurti qytetarët pritet t’i kthehen normalitetit  

28/01/2022

Danimarka tërheq kufizimet, nga 1 shkurti qytetarët pritet t’i kthehen normalitetit  

Danimarka do të heqë të gjitha masat dhe kufizimet anti-Covid, pasi infektimet dhe shtrimet në spitale nga Omicron mbeten në nivele të përballueshme. Kufizimet në këtë shtet të hiqen në datën 1 shkurt. “Kemi një lajm tepër të mirë, tani mund të heqim kufizimet e fundit të koronavirusit në Danimarkë”, tha kryeministrja Mette Frederiksen në një konferencë për shtyp.

Vendimi vjen pasi një nënvariant i ri i Omicron, BA.2, po fiton teren në Danimarkë dhe po rrit infeksionet, me 46 mijë raste të reja të regjistruara të mërkurën. “Javët e fundit kemi parë shkallë shumë të larta të infeksionit, në fakt më të lartat në të gjithë pandeminë,” tha Frederiksen. “Prandaj, mund të duket e çuditshme dhe paradoksale që ne tani jemi gati të heqim dorë nga kufizimet. Por nga ana tjetër kemi një shkallë të lartë vaksinimi, dhe ky është një hap i sigurt” tha Frederiksen. 

Rreth 82 për qind e popullsisë së Danimarkës të moshës 12 vjeç e lart është plotësisht e vaksinuar me dy doza, nga të cilat 50 për qind me një dozë të tretë, sipas Autoritetit Danez të Shëndetit dhe Barnave.  


Një ditë më parë edhe Mbretëria e Bashkuar hoqi të gjitha masat ndaj COVID-19. Qytetarëve s’do t’u kërkohet më mbajtja e maskave dhe paraqitja e pasaportave të vaksinave për të hyrë në ambiente të mbyllura. Pasaportat e COVID-it nuk do të përdoren më për të hyrë as në klubet e natës, stadiume e ngjarje të mëdha, edhe pse në disa raste mund t’u kërkohet klientëve të dëshmojnë vaksinimi apo testi negativ.