RTSH 24 Live

Sociale

COVID-19 rriti rrezikun për sulme në zemër, paralizë dhe vdekje

12/10/2024

COVID-19 rriti rrezikun për sulme në zemër, paralizë dhe vdekje

Studiuesit në SHBA zbuluan se rreziku i sulmit në zemër, paralizës dhe vdekjes në 3 vitet e ardhshme të atyre që u prekën nga COVID-19 është dy herë më i lartë se ata që nuk e kanë kaluar këtë sëmundje.

Sipas hulumtimit, gjetjet e të cilit u botuan në revistën “Atherosclerosis, Thrombosis, and Vascular Biology”, shkencëtarët nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, Universiteti i Kalifornisë (UCLA) dhe Instituti Kërkimor Lerner në Ohio ekzaminuan të dhënat shëndetësore të rreth 250 mijë njerëzve që ndodhen në bazën e të dhënave biomjekësore të quajtur Biobank në Britani.

Studiuesit krahasuan të dhënat e pacientëve që u prekën nga COVID-19 në vitin 2020 me të dhënat e më shumë se 222 mijë personave që nuk u infektuan me sëmundjen në të njëjtën periudhë.

Hulumtuesit theksuan se sipas të dhënave, në vitin 2020 para se të dilnin vaksinat kundër COVID-19 ka patur më shumë se 11 mijë persona që u prekën nga sëmundja dhe se këta njerëz kishin dy herë më shumë rrezik për sulm në zemër, paralizë (goditje në tru) dhe vdekje gjatë tre viteve të ardhshme në krahasim me ata që nuk u prekën nga kjo sëmundje.

Studiuesit vunë në dukje se rreth 3 mijë nga mbi 11 mijë personat që u prekën nga COVID-19 u shtruan në spital dhe se rreziku i sulmit në zemër, paralizës dhe vdekjes ishte më shumë se tre herë më i lartë në krahasim me ata që nuk u infektuan nga COVID-19.

Rreziku i sulmit në zemër, paralizës dhe vdekjes së atyre që e kaluan sëmundjen COVID-19 dhe u shtruan në spital për shkak të saj nuk u ul me kalimin e kohës njoftuan studiuesit të cilët thanë se nuk dihet ende pse sëmundja ka efekte kaq afatgjata mbi sistemin kardiovaskular në trup. 


/ rtsh.al /